Përdorim bimë dhe erëza të ndryshme për të shijuar ushqimet, pa menduar se këta përbërës kuzhine mund të përdoren edhe për qëllime të tjera.
Një rast i tillë është përdorimi i gjetheve të dafinës. Gjethet e dafinës kanë qenë prej shekujsh pjesë e mjekësisë natyrore. Vetitë e tyre të jashtëzakonshme mjekësore, si vetitë e forta anti-inflamatore dhe qetësuese janë të njohura dhe të përdorura gjerësisht edhe nga grekët e lashtë. Përveç kësaj, besohej se gjethet e dafinës mund të mbështesnin edhe trajtimin e epilepsisë.
Për të marrë përfitimet shëndetësore të gjetheve të dafinës mund t’i shtoni ato në ushqim ndërsa gatuani, ose mund t’i ndizni lehtë dhe me kujdes në një tas rezistent ndaj nxehtësisë dhe të lini aromën të përhapet ngadalë nëpër shtëpi.
Djegia e gjetheve të dafinës është shumë e dobishme për të relaksuar muskujt, për të qetësuar mendjen dhe për të përmirësuar gjendjen shpirtërore. Gjethet e dafinës janë gjithashtu një nga ilaçet më të fuqishëm kundër furrtares së zezë.
Nëse insektet kanë pushtuar kuzhinën ose oborrin tuaj, përdorni gjethe dafine për t’i sprapsur. Vështirë se mund të gjeni një zgjidhje më të mirë se gjethet e dafinës, për shkak se janë krejtësisht të sigurta për t’u përdorur edhe kur keni vërdallë fëmijë të vegjël ose kafshë shtëpiake. Aroma e tyre e fuqishme funksionon mrekulli kur bëhet fjalë për të larguar furrtaret e zeza apo insekte të ngjashme. Kjo metodë është shumë e thjeshtë.
Vendosni disa gjethe dafine në çdo qoshe të shtëpisë ose kopshtit. Meqënëse ato janë jo toksike, mund t’i përdorni edhe në kuzhinë ku ruani ushqimin. Për këtë qëllim mund të përdorni edhe gjethe dafine të thata edhe të freskëta, por ato të thata janë më të efektshme, për shkak se aroma e tyre është më e fortë.