Mbledhja e sotme e kryesisë se Partisë Socialiste do të ketë në fokus zgjidhjen e ngërçit për bashkinë Shkodër. Në edicionin e lajmeve të orës 12:00, gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu, duke cituar burime nga PS raportoi se janë katër emra potencialë për të zëvendësuar Valdrin Pjetrin.
Ata janë: ish-zëvendëskryeministrja Senida Mesi, Megi Ajtyresa që vjen si propozim i degës së PS Shkodër, Zef Çuni, ish-zëvendësministër i Kulturës në Qeverinë “Rama 1” dhe Astrit Beci, mjek i njohur në Shkodër dhe ish-deputet i PS.
Megjithatë do të jetë kryesia e PS që do të vendosë mes këtyre kandidatëve potencialë.
Valdrin Pjetri u tërhoq nga marrja e detyrës së kryebashkiakut pas publikimit të dokumenteve kur rezultonte se kishte qenë vitë më parë i dënuar në Itali për shpërndarje narkotikësh. Këtë fakt, Pjetri nuk e kishte paraqitur në formularin e vetëdeklarimit, çka solli vendimin e largimit./TCH