“Mbrëmjen e të martës duke u gdhirë e mërkura pritet që në Tiranë të ketë reshje bore”.
Kështu deklaroi për Vizion Plus metereologu Metodi Marku i cili theksoi ndër të tjera se të martën temperaturat do të ulen akoma më shumë.
I ftuar në emisionin e mëngjesit “7pa5” metereologu Metodi Marku deklaroi gjithashtu se ditën e mërkurë do të ketë një rritje temperaturash. Kjo rritje që do të reflektohet deri në fund të javës.
Ndonëse Shqipëria është e përfshirë gjatë këtyre ditëve nga masa ajrore tepër të ftohta që kanë sjellë dëborë, ngrica e temperatura shumë të ulëta, situata për momentin në vend nuk është problematike.
Të paktën sa i takon pjesës së lëvizjes së mjeteve në akset rrugore në vend, ARRSH në njoftimin e nisur për mediat mëngjesin e kësaj të hënë shpjegon se në akset kryesore në vend nuk ka probleme.
Sipas ARRSH-së, qarkullimi i mjeteve bëhet pa zinxhire.
Po ashtu njoftohet se janë trajtuar me kripë zonat problematike.
Të vetmet sipas ARRSH, që kalohen me zinxhirë, janë aksi Ura Cerenecit-Steblevë në zonën e Librazhdit si dhe rruga turistike Boboshticë-Dardhë.