Vilat e një prej lagjeve më të pasura të Tiranës “Rolling Hills”, po t’i shohësh së jashtmi, janë të gjitha njësoj. Se si janë të arreduara nga brenda, me mobilim modern apo klasik, me ngjyra të errëta apo të çelëta, me stil minimalist apo barok, kjo varet sigurisht nga shijet e atyre që banojnë brenda atyre vilave të kushtueshme, një prej të cilëve është edhe Avokatja e Popullit Erinda Ballanca.
Gjatë ditëve të festave, në një intervistë që avokatja ka dhënë për revistën “Living”, ka rrëfyer marrëdhënien e saj të ngushtë me gatimin dhe ka pranuar që të fotografohet brenda sallonit të shtëpisë së saj, që ngjan me një katalog revistash arredimi.
E para që të bën përshypje është kuzhina e stërmadhe dhe e bardhë, e cila për një adhuruese ushqimi si zonja Erinda, është cepi i saj i preferuar, nëse mund të quhet cep ajo hapësirë aq e madhe e dedikuar e gjitha për pasionin e saj. Drita që hyn nga dritaret e mëdha i bën edhe më të bardhë raftet e mëdhenj e të padukshëm.
Një ishull i madh zë hapësirën në mes dhe një tavolinë transparente e karrige të drunjta janë vendosur në zonën e ngrënies, pranë minibliotekës të librave të gatimit, të vendosura në mur.
Por nëse e bardha mbizotëron në kuzhinë e thyhet vetëm nga njollat e ngjyrave të kuqërremta aksesorëve, në zonën e sallonit feksin ngjyra të forta si gurkali, që qëndron në mes të blusë të thekusar të tapetit e pikturave të realizuara nga autorë shqiptarë.
Për t’u zbutur pastaj në zonën e bibliotekës me ngjyra toke, formë josimetrike dhe rafte të mëdhenj e të vegjël ku janë renditur libra e vëllime.
Zona e oxhakut rrëmben hapësirën më të madhe të sallonit. Një model oxhaku i stërmadh e i xhamtë që mbyll zjarrin brenda strukturës së kolonës së gjerë të murit. Çdo gjë duket aq perfekte dhe e realizuar nga duar profesionistësh të arredimit, por Erinda tregon se është dora e tyre po aq sa është edhe e saja. “Si çdokujt tjetër, edhe mua më pëlqen të lë vulën time në punimet e shtëpisë. Arkitektët kanë dorë në pjesën më të madhe të konceptimit dhe ndarjes së hapësirave, por jo aq sa të mos them me krenari se jam një bashkautore e denjë në realizimin e saj”, ka treguar Erinda për Living.
Kjo është një pjesë e vogël nga shtëpia e avokates së Popullit, Erinda Ballanca, këtu në Tiranë. Ndërkohë, një shtëpi tjetër, pjesë e pallatit të famshëm që u shemb në Vlorë e që sipas vendimit të Gjykatës së Strasburgut duhet të dëmshpërblehet, do t’i kthehet avokates e paguar kokërr më kokërr nga taksat e popullit që ajo përfaqëson./tiranapost