Në Francë është shënuar java e 17 e protestave të Jelekëve të Verdhë edhe pse numri i manifestuesve është gjithnjë në rënie. Në 16 Mars përfundon dhe periudha e debatit të gjerë të iniciuar nga presidenti francez Macron.
Edhe këtë të shtunë, Jelekët e Verdhë kanë protestuar në rrugët franceze. Por pothuajse katër muaj pas fillimit të kësaj lëvizjeje, numri i pjesëmarrësve ka shënuar një rënie të konsiderueshme. Ministria e Brendshme franceze bëri të ditur se kanë marrë pjesë 39.300 manifestues, katër mijë vetëm në Paris.
Ndërkohë që javën e ardhshme do të shënohet dhe përfundimi i debatit të gjerë i kërkuar nga kreu i shtetit Macron, për të gjetur një zgjidhje të situatës në vend.
Një marshim masiv i parashikuar të zgjaste për të gjithë fundjavën në “Champs de Mars” përfundoi brenda pak minutash. Rreth 50 persona u mblodhën në këmbët e kullës “Eifel” me një parullë, ku shkruhej se klima dhe drejtësia sociale janë e njëjta betejë.
Numri më i madh i protestuesve u shënua në Champs Elysee ku Jelekëve të Verdhë iu bashkuan dhe infermieret dhe femrat me jelekë rozë që protestonin për të drejtat e tyre.