Fushatat zgjedhore janë një mundësi e mirë për të diskutuar për vende pune, për mjedis më të pastër, për ushqime më të sigurta, për shërbim shëndetësor më të mirë, për arsim më cilësor, për nxitje të investimeve vendase dhe të huaja.
Fushatat zgjedhore janë një mundësi, që si rregull ofrohet vetëm një herë në 4 vjet, për të diskutuar çfarë është bërë mirë, çfarë është bërë keq, çfarë mund të bëhet më mirë dhe mbi të gjitha kush e meriton të marrë në dorë timonin e makinës për një mandat tjetër 4 vjeçar.
Si sot 3 javë nis heshtja zgjedhore. Në fakt, edhe kjo javë që po mbyllet mund të quhet javë e heshtur.
Debati, nëse mund të quhet i tillë, deri më tani, është për shoferin e timonit. Jo për makinën. Jo për cilësinë e karburantit të makinës, jo për sigurinë e pasagjerëve, jo për destinacionin dhe për shpejtësinë e lëvizjes së makinës.. Është thjesht kush do të hipë në timon.
Debatit për çështje që janë shqetësim për qytetarët mungon. Sikundër mungojnë programet e shkruara të dy partive kryesore. Një parti që në mes të fushatës ka probleme nuk është fundit botës. Por parti që 3 javë para zgjedhjeve janë pa program të shkruar, të debatuar dhe të kostuar- më e pakta nuk janë gati për të marrë përgjegjësi.
Në listën e mungesave renditen edhe CV -të e kandidatëve për deputet. Listat pa CV quhen lista fituese!!!
Në google sot mund të gjesh gjithçka. Të dhëna për NASA-n dhe çdo teori konspirative që qarkullon në planet. Gjithçka, por jo CV e kandidatëve për deputet. Falë sistemit zgjedhor, 80% të tyre e dimë se do të jenë deputet edhe nëse nuk takojnë asnjë zgjedhës deri më datë 25 qershor. Pas kësaj date probabiliteti që këta kandidatë të takojnë zgjedhës shkon drejt zeros.
Zgjedhjet janë edhe çështje numrash, por shifrat janë zhdukur nga fushata! Që do të thotë premtime – të shoqëruara me faturë financiare! Pyetje e thjeshtë: me sa para e bën aeroportin/urën/rrugën/ dhe ku gjende këto para?
Meqë ra fjala te rrugët. Fushata për zgjedhjet parlamentare nuk është për rrugë, kanale, fasada dhe sheshe. Këto janë punë të pushtetit lokal. Fushata është për platforma, projekte dhe politika:
Shohim karshillët dhe batuta, por jo përballje dhe thelb.
Zgjedhjet janë për të zgjedhur mes alternativave më të mira.
Alternativat dalin në pah nga debati i argumentuar dhe jo nga propaganda e sheqerosur.
Fushatat zgjedhore janë mundësi e artë për të diskutuar tema të mëdha, shumë më të mëdha se problemet e përditshme.
Dekriminializimi, kanabisi, zgjedhjet e lira- ishin kryeçështje të opozitës që fituan simpati si brenda dhe jashtë vendit gjatë qëndrimit 90 ditor në çadër. Falë marrëveshjes së 18 majit, PD, forca kryesore e opozitë është e përfaqësuar në qeveri- me 6 ministra dhe disa drejtorë në agjenci. Këto nuk janë më çështje fushate.
Fushatat janë mundësi për të skanuar premtimet e vjetra dhe premtimet e përditësuara.
Kjo bëhet nga media. Por kur fushata raportohet nga partitë dhe kandidatët- dhe live, atëherë kjo nuk- medias i mbetet të bëjë vetëm “rripin e transmisionit”.
2000 vjet më parë, jo shumë larg prej nesh, në Romë, qeveria kujdesej që popullit të mos i mungonin 2 gjëra: buka (drithi sigurohej nga Egjipti) dhe cirku.
2000 vjet më pas në Shqipëri, e vetmja gjë e garantuar është cirku…politik.
Fushatat e vetmja mundësi për të dëgjuar zërin e votuesve- i ngjajnë më shumë cirkut si në formë, ashtu edhe në përmbajtje.- ku njerëzit thirren për t’u argëtuar. Flet vetëm kryetari. Duartrokitje, batuta. Transmetime të drejtpërdrejta në ekranet televizive dhe në facebook?!
Nuk ka pyetje, nuk ka diskutim, kalohet te takimi tjetër.
Kemi parë boll monolog, por jo dialog.
Duel? Përjashto batutat në distancë me Dulen. Deri më tani Dueli ka qenë i heshtur!