Qindra persona protestuan në Paris të Francës, duke shënuar kështu javën e 12-të me radhë të mbajtjes së protestave anti-qeveritare.
Protesta më të vogla janë mbajtur edhe në qytete të tjera të Francës, pavarësisht shenjave se lëvizja e protestuesve të njohur si “Jelekverdhët” ka humbur fuqinë, pas rritjes së mbështetjes nga presidentit Emmanuel Macron.
Protestuesit kanë nderuar personat që janë lënduar gjatë protestave të mëhershme dhe kanë denoncuar përdorimin e dhunës nga ana e policisë, të cilët kanë përdorur armë për kontrollin e turmave. Armët për kontrollin e turmave janë të ndaluara në shumë vende evropiane.
Qeveria franceze thotë se rreth 1 mijë policë dhe 1 mijë e 700 protestues janë lënduar që prej se protestat nisën në nëntorin e vitit të kaluar.
Protestat nisën pas pakënaqësive për rritjen e çmimit të karburanteve, por vazhduan edhe për pakënaqësi të tjera ndaj politikave të Qeverisë së Macronit. Ministria e Brendshme franceze thotë se 80 mijë pjesëtarë të sigurisë janë dërguar në mbarë vendin sot për të siguruar mbarëvajtjen e protestës./REL
Bota “Jelekverdhët” humbin fuqinë, Macron fiton terren