Për futbollistin, Sokol Cikalleshi, ndjenja e patriotizmit që trajneri Silvinjo ka injektuar në skuadër, ka ndikuar në rezultatin pozitiv të Kombëtares.
Në një lidhje për emisionin “Opinion” në Tv Klan, Cikalleshi thotë se në çdo mbledhje fjalët e para të trajnerit Sylvinho janë “Jemi 1, luajmë për flamur dhe për popullin shqiptar”.
“Për të bërë sukses, duhet të merresh me detajet. Është një trajner që fokusohet tek detajet. Duke qenë se në këtë moment, ne kemi lojtarë shumë, pothuajse gjysma e ekipit janë lojtarë të cilët janë rritur jashtë trevave shqiptare, trajneri ka ditur të injektojë shpirtin e garës dhe gjithmonë në mbledhjet tona fjala e tij është “Jemi 1, luajmë për flamur dhe për popullin shqiptar”, çka më përpara mungonte. Lojtarët vinin me atë ndjenjën që thjeshtë po luajmë një ndeshje dhe ktheheshin nëpër klubet e tyre, kurse tanimë është ndjenja e patriotizmit dhe shpirti i garës në fushë dhe këtë e ka bërë më së miri trajneri. Duke u fokusuar tek detajet, i ka kuptuar dhe shpjegimet që mund t’i kenë ardhur dhe nga Presidenti Duka, siç e ka kuptuar dhe De Biazi mentalitetin shqiptar dhe këto janë ato që e kanë çuar këtë Kombëtare në këtë pikë që jemi sot”, tha Cikalleshi.