Me gjuhën e mjekut zgjodhi të flasë në protestë, kandidati i dorëhequr për Bashkinë e Tiranës Ilir Alimehmeti, i cili e krahasoi me virusin dhe kancerin korrupsionin qeveritar dhe shpopullimin. Ai bëri thirrje për të qëndruar dhe luftuar ndaj këtyre fenomeneve.
“Jemi vënë përballë një kanceri korrupsioni. Ka shkuar edhe ky tashmë edhe ndërkombëtar në nivele të frikshme. Jemi përballë një hemorragjie nga shpopullimi. Jemi vënë përballë një humbje, një pagjumësie nga sistemi i gjyqësisë. Sistemi i gjyqësisë është shurdh ndaj gjithë këtyre sëmundjeve. Ne kemi dy mundësi miqtë e mi. Kemi mundësi të qëndrojmë të përballemi, mbështetur mbi rrënjët tona të forta, të shëndosha, krenare. Apo kemi mundësinë të largohemi si gjethet e shpërndara nga stuhia. Mirëpo, jo. Ne kemi vendosur të qëndrojmë. Të përballemi dhe të mos largohemi, por të largojmë ata që janë shkaktarët e të gjithë këtyre sëmundjeve. Kemi vendosur ta marrim fatin tonë në dorë vetë. Kemi vendosur ta marrim fatin e Shqipërisë në dorë vetë. Do i luftojmë këto viruse në çdo zyrë, në çdo institucion, në çdo rrugë, në çdo shesh, kudo ku të jenë, sepse ata nuk ikin vetë. Ikin vetëm po t’i heqim ne. Ne jemi sistemi imunitar i Shqipërisë. Ne mund ta bëjmë këtë!”
FJALA E DREJTUESIT TË DEPARTAMENTIT TË SHËNDETËSISË NË PD, ILIR ALIMEHMETI
Rama ik!
Miq, qytetarë, shqiptarë!
Shihni rreth e rrotull. Shihni sa shumë jemi. Janë shumë e më shumë ata që na ndjekin nga larg. Janë qindrafish më shumë ata që i kanë sytë tek ne. Po i varin shpresat te ne. Sot e në të ardhmen.
Po, pse? Pse jemi ne këtu? Pse vendosëm të sfidojmë muajin më të ftohtë të vitit? Se nuk ka vend më të ftohtë se konaku bosh, se shtëpia bosh. Ku na ikën njerëzit tanë familjarët, miqtë?. Se në fund fare çfarë i mbetet prindit po i iku fëmija? Çfarë i mbetet Shqipërisë po i iku rinia? Pse jemi ne këtu zgjodhëm muajin më të ftohtë?
Se nuk ka vend më të ftohtë sesa zemra e këtyre. Ia njohim zemrën atyre, se e dimë që s’ka asgjë brenda tyre. Ngrohtësinë e kanë vetëm xhepin e tyre, ftohtësinë e kanë për ne, sëmundjen e kanë për ne dhe ndaj këtyre sëmundjeve askush prej nesh dhe askush nga ata nuk shpëton dot.
Askund! As në shtëpi, as në zyrë, as në rrugë, as në fusha, as në mal. Jemi vënë përballë një kanceri korrupsioni. Ka shkuar edhe ky tashmë edhe ndërkombëtar në nivele të frikshme. Jemi përballë një hemorragjie nga shpopullimi. Jemi vënë përballë një humbje, një pagjumësie nga sistemi i gjyqësisë. Sistemi i gjyqësisë është shurdh ndaj gjithë këtyre sëmundjeve.
Ne kemi dy mundësi miqtë e mi. Kemi mundësi të qëndrojmë të përballemi, mbështetur mbi rrënjët tona të forta, të shëndosha, krenare. Apo kemi mundësinë të largohemi si gjethet e shpërndara nga stuhia.
Mirëpo, jo. Ne kemi vendosur të qëndrojmë. Të përballemi dhe të mos largohemi, por të largojmë ata që janë shkaktarët e të gjithë këtyre sëmundjeve. Kemi vendosur ta marrim fatin tonë në dorë vetë. Kemi vendosur ta marrim fatin e Shqipërisë në dorë vetë.
Do i luftojmë këto viruse në çdo zyrë, në çdo institucion, në çdo rrugë, në çdo shesh, kudo ku të jenë, sepse ata nuk ikin vetë. Ikin vetëm po t’i heqim ne.
Ne jemi sistemi imunitar i Shqipërisë. Ne mund ta bëjmë këtë!
Se në fund fare, pavarësisht se çfarë pjesë e pemës jemi rrënjë, degë, trung, gjethe, nuk ka rëndësi. Është po e njëjta pemë që po rreh stuhia.
Mirëpo, stuhia më e fortë rrahu, po rrënjët tona mbajtën. Trungu jonë u forcua. Degët u shtuan. Dhe tani që po vjen pranvera. Do vijë gjelbërimi dhe gjallëria. Do vijë fitorja për Tiranën. Do vijë fitorja për Shqipërinë.
Rroftë Shqipëria e shqiptarëve!