Një kompani turistike në Romë ofron mundësinë për të bërë një tur rreth qytetit sëbashku me një të dashur Instagrami. “Jeni turist beqar, dhe po planifikoni të udhëtoni për në Romë? Merrni me qira një të dashur të rremë dhe realizoni selfie dhe foto të pafundme rreth qytetit të përjetshëm. Këtë mundësi ua ofron paketa e shërbimit “Insta Boyfriend Rome Private Tour” krijuar nga “Roma Experience”, një kompani e themeluar në vitin 2009 që operon në këtë sektor e biznesit turistik.
Kompania organizon ture në Romë me një të dashur të rremë, me të cilin ju mund të publikoni edhe foto në rrjete sociale. Nëse dëshironi, ju mund të bëni një vizitë treorëshe në vendet më të famshme të kryeqytetit, sëbashku me një të dashurin “me qira”, i cili është gjithashtu një fotograf profesional.
I dashuri fotograf i marrë me qira ndjek turistët në çdo cep të Romës, duke u dhënë mundësinë të shkrepin foto të ndryshme për t’i ndarë më pas në rrjetet sociale.
Çmimi? Turneu privat që ofrohet nga agjencia kushton 735 euro dhe përfshin vizitat në monumentet më të famshme të Romës si Koloseu, Kisha e Sistines dhe Vatikani. Nëse dëshironi të merrni edhe të dashurin me qira, do të paguani edhe 350 euro më shumë.
Ndonëse ky shërbim nuk ka një kosto të ulët, “Përvoja Romane” thekson se është me të vërtetë e vlefshme pasi që “i dashuri i marrë me qira” mund të jetë më i mirë se një i dashur i vërtetë: Ai nuk ankohet asnjëherë dhe është fotograf profesionist, mund t’ju realizojë foto sa të doni, pa u mërzitur për asnjë çast. Tek e fundit, për këtë po paguani! /Huffpost