Jennifer Aniston nuk luan kur vjen puna tek siguria e shëndetit. Gjatë një interviste të fundit për InStyle, Aniston tregoi se i është dashur të shkëputet nga disa miq të saj vetëm sepse këta të fundit nuk pranuan të vaksinoheshin kundër Covid-19.
“Kam humbur kontaktin me shumë njerëz në rutinën time, pasi ata refuzojnë të bëjnë vaksinën ose thjesht zgjedhin të mos e bëjnë. Unë mendoj që është detyrim moral të informohesh dhe informosh, duke qenë se nuk është zgjidhje të bëjmë nga një test çdo ditë. Është çështje interesante sepse të gjithë i qëndrojnë besnikë mendimit të tyre, por kam vënë re që shumë opinione nuk bazohen askund tjetër përveçse tek frika apo propaganda.”- u shpreh ylli i “Friends”.
Aktorja gjithnjë ka bërë propagandën e saj në lidhje me masat që njerëzit duhet të marrin në lidhje me pandeminë, duke filluar që nga Instagrami i saj, ku inkurajonte të gjithë ndjekësit të vendosnin maskën.
“Vetëm mendoni pak për ata që e kanë kaluar virusin e tmerrshëm. Bëjeni për familjen, por mbi të gjitha për veten tuaj. Covid-i nuk pyet për moshë!”
Nga gjithë çfarë thotë, Jennifer e ka bërë zgjedhjen e saj, edhe nëse kjo nënkupton të humbasë ca miq rrugës.