Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka pranuar dorëheqjen e Gert Bogdanit nga detyra e sekretarit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare.
Duke vlerësuar angazhimin e zotit Bogdani për të forcuar lidhjet e Partisë Demokratike me partitë simotra, me PPE dhe me organizatat rinore të qendrës së djathtë evropiane, Basha thekson se kontributi i zotit Bogdani do të vazhdojë të jetë i rëndësishëm në sfidat që Partia Demokratike ka përpara për Shqipërinë si Europa.
Në detyrën e Sekretarit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare të Partisë Demokratike, kryetari Basha ka emëruar zotin Arben Kashahu, i njohur nga profesionistët e fushës së marrëdhënieve ndërkombëtare si drejtues i suksesshëm i ekipit negociator për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit mes qeverisë shqiptare dhe Bashkimit Evropian.
Kashahu është në profesion jurist dhe pas përvojës 5 vjeçare si drejtues i lartë në Ministrinë e Integrimit, ka punuar në disa organizata dhe shoqëri ndërkombëtare.