Karrierat kriminale të bosëve që shënjuan historinë e Cosa Nostra-s në SHBA dhe Itali. Këta dhjetë bosa, bënë që Nju Jorku, Amerika, Italia dhe pjesa tjetër e botës të dridhej para tyre. Njihuni me perandorët e krimit.
Historia e mafias është edhe historia e karrierave kriminale të disa bosëve që kontribuan në zgjerimin e Cosa Nostra-s. Ja historitë e atyre që bënë historinë e mafias.
-Joe Masseria “The Boss”
Në Amerikë e quanin Joe Masseria, ose “Joe the Boss”, por emri i tij i vërtetë ishte Giuseppe Masseria.
Në moshën 43-vjeçare, me origjinë nga provinca e Trapanit të Italisë, ai fitoi një reputacion si gangster si “njeriu që i shmangej plumbave”, në kujtim të një sulmi mafioz nga i cili shpëtoi mrekullisht pa pësuar dëme, vetëm dy vrima plumbash në kapelen e tij.
Nga viti 1920 komandoi bandën Morello, një nga klanet më të fuqishme të Nju Jorkut. Vrasjen e tij 11 vjet më vonë, në vitin 1931, e urdhëroi Lucky Luciano gjatë luftës mafioze të quajtur “castellammarese”, konflikti italo-amerikan për fitoren e lidershipit në Nju Jork, mes familjes Maranzano dhe asaj Masseria.
-Joe Valachi, “shpikësi” i Cosa Nostra-s
Joseph Valachi ishte i pari i penduar nga të mëdhenjtë, i cili foli publikisht për ekzistencën e mafias dhe e përkufizoi me emrin “Cosa Nostra”.
Me origjinë nga Rumania, ai jetoi në Nju Jork, ku punoi si shofer i Gaetano Reina, klanit të fuqishëm të Joe Masseria. Ai u bë pjesë e grupeve mafioze të Joe Masseria, Vito Genovese dhe Lucky Luciano kundër rivalëve napolitanë.
Rrëfimet e tij bënë që të rindërtohej organizimi i mafias dhe duke përmirësuar rregullat. Valachi vdiq nga një atak kardiak, pas një tentative për vetëvrasje në vitin 1971.
Historia e tij inspiroi personazhin e Frankie Pentangeli në filmin Il Padrino 2.
-Vito Genovese, dhuruesi i monedhave
Bosi i familjes, Vito Genovese, pasi emigroi në Amerikë në vitin 1913, filloi karrierën e tij kriminale në fund të Luftës së Parë Botërore duke punuar në shërbim të Joe Masseria, me bosë të kalibrit të Lucky Luciano, Meyer Lansky dhe Frank Costello.
U kthye në Itali në moshën 40-vjeçare, në vitin 1937.
Gjatë pushtimit ushtarak amerikan ai luajti rolin e përkthyesit të kolonelit Poletti të ushtrisë amerikane. Gjatë kësaj periudhe ai jetoi në rajonin e Nolas, provincë e Napolit, ku i lëshoi monedha argjendi turmës. Ai gjithashtu financonte festat në vendin e tij.
Kronikat flasin edhe për një bujari të madhe kundrejt kishës së vendit të tij. Genovese u burgos në vitin 1959 dhe vdiq në burg dhjet vjet më vonë.
-Bernardo Provenzano, fantazma
Bernardo Provenzano vdiq më 13 korrik 2016 në moshën 83-vjeçare nga kanceri. Bosi siçilian i mafias, ka përfaqësuar disa nga faqet më të errëta të historisë italiane të dekadave të fundit. Si krahu i djathtë i Toto Rinës, ai ka dhënë urdhrin për vrasjen në atentate në vitin 1992, ku humbën jetë në kohë të ndryshme, gjykatësit Giovanni Falcone e Paolo Borsellino.
Për 43 vjet me radhë ka qenë kapo misterioz i “Cosa nostra”. Bernardo Provenzano, ose i ashtuquajturi “zu Binnu”, por i njohur edhe me nofkën “u tratturi”, super bos si dhe drejtuesi më me jetëgjatësi në historinë e mafias. Kërkimi i tij zgjati 43 vjet, aq gjatë sa për shumë kohë u konsiderua si një fantazmë. Ai u gjet vetëm pranverën e vitit 2006, kur u zbulua se super bosi Bernardo Provenzano ishte strehuar në një fermë në Korleone, nga ku komunikonte me letra me bashkëpunëtorët e tij. Provenzano e nisi karrierën e tij në vitet ‘50’, sëbashku me Salvatore Riina-n, duke u bërë njeriu më i besuar i Luciano Liggio-s. që atëherë ishte kapo i Cosa Nostra-s dhe Korleones. Për të Liggio thoshte: “Qëllon si Zoti, po ka trurin e një pule”. Ai mori kreun e Cosa Nostra-s në fillim të viteve ‘80, pasi i kishte vrarë të gjithë rivalët e tij. Por nëse për një kohë të gjatë është konsideruar si një vrasës pa skrupuj, ai është shpallur dhe mjeshtri i organizimit të pastrimit të parave të pista. Dhe jo vetëm: bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë kanë nxjerrë në dritë edhe kontaktet e tij me botën politike.
-Frank Costello, “kryeministri” i Cosa Nostra-s
Frank Costello, pseudonim i Francesco Castiglia ishte një mafioz italian, me nënshtetësi amerikane, i lidhur me Cosa Nostra-n në Shtete të Bashkuara. Costello është cilësuar si “Kryeministër i Bandës” nga shtypi amerikan. Në vitin 1920 në shërbim të gangsterit hebre Arnold Rothstein së bashku me Lucky Luciano-n, Meyer Lansky-n, Dutch Stulz-in dhe Jack Diamond u morën me kontrabandën e drogës dhe alkoolit. Kjo ishte koha kur Frank Costello u njoh me emrin “Kryeministri i Bandës”, për lidhjet e tij politike me Tammany Hall, Organizatën e Partisë Demokratike të Nju Jorkut. Me këtë lidhje siguronte mbrojtje politike për aktivitetet e tij ilegale dhe aktivitetet e ortakëve të tij. Në vitin 1936 Luciano u arrestua për shfrytëzim të prostitucionit dhe u dënua me 35 vite burg. Ai vazhdoi ta drejtonte Familjen e tij nga burgu përmes togerit Vito Genovese, por këtij të fundit iu desh të braktiste Shtetet e Bashkuara për të shmangur akuzat për vrasje. Në vitin 1954 u dënua me 5 vite burg për evazion fiskal, por bëri vetëm 1 vit sepse gjykimi u anullua. Por më 2 mars të 1957-s ra në kurthin e Vincent Gigante-s, vrasësit të Genovese-s, i cili i qëlloi në kokë ndërkohë që ai kalonte nga ashensori për në apartamentin e tij në Manhatan. Costello arriti të shpëtonte sepse pësoi vetëm një gërvishtje dhe vendosi të hiqte dorë nga kontrolli i Familjes. Ai vdiq në paqe në vitin 1973.
Frank Costello inspiroi edhe Vito Corleone-n te filmi “Kumbari”.
Costello ashtu si Corleone në film, rriste fuqinë e tij nëpërmjet marrëdhënieve me figura të fuqishme të biznesit dhe politikës. Ai njihet si “Kryeministri”, për aftësitë e tij diplomatike, përfshi këtu edhe shantazhet dhe ryshfetet që merrte.
Si personazhi real ashtu dhe ai filmit i mbijetuan tentativave për vrasje që iu bënë. Marlon Brando, aktori që luajti Don Vito Corleone-n pati deklaruar se e pati dëgjuar shumë herë zërin e Costello-s të regjistruar kur ky i fundit pati qenë në seancë gjyqësore.
-Salvatore Riina, bosi më i madh i Cosa Notra-s italiane
“Zotërinj, ju po bëni një gabim”, ishte deklarata që mafiozi siçilian Salvatore Rina u tha policëve, ndërkohë që u kap në janar të 1993 për krimet e kryera për më shumë se 20 vjet, si bos i mafias siçiliane. Ai kërkohej për vrasjen e më shumë se 100 personave të kryera gjatë kohës që ngjiste shkallët e karrierës kriminale.
I njohur si “Toto”, thuhet se ai e nisi karrierën si vrasës me pagesë. Salvatore Riina fillon të bëhet shumë i pushtetshëm pas rënies së bosit të “korleonezëve”, Luciano Lixho, i cili arrestohet në maj të vitit l974.
Pushteti i Don Totos, sikundër zbulojnë disa të penduar, arrin deri në SHBA, ku në pak vite bosi korleonez ja arrin të lidhë aleanca me disa nga “familjet” më të pushtetshme të “Cosa Nostra”-s amerikane. Ai u arratis në 1969 pasi u akuzua për vrasje të trefishtë. Por kjo nuk e ndaloi atë që të vazhdonte aktivitetin kriminal dhe luftërat mafioze në Siçili në 1980, ku humbën jetën mijëra njerëz dhe arriti të vendosej në krye të organizatës. Në tetor të 1993, pavarësisht përpjekjeve për të pretenduar se po bëhej një gabim në identitet, Riina u dënua me burgim të përjetshëm; dënimi më i rëndë i dhënë në Itali.
-John Gotti, mafiozi hollivudian
Ai është konsideruar gjerësisht si krimineli i fundit i stilit hollivudian, një njeri që shkonte në sallën e gjyqit dhe dilte sërish, i pafajshëm. “Zoti i modës” ishte bosi kriminal i familjes Gambino në mes të viteve ’80, dhe shpejt u bë i njohur si “Zoti Rezistenca” për shkak të aftësisë së tij për t’iu shmangur burgut. Akuzat, thuhej nga njerëzit e thjeshtë, nuk zgjidhnin gjë në rastin e tij. Kjo ishte deri në momentin që FBI–ja zbuloi një kryqëzatë të organizuar nga Gotti, duke bërë që ai të arrestohej dhe të akuzohej për krime të ndryshme, duke përfshirë kontrabandë dhe vrasje.
Eventualisht ai u dënua me burgim të përjetshëm në 1992 dhe qëndroi në burg deri në ditën e vdekjes së tij, të shkaktuar nga kanceri një dekadë më vonë.
-Carlo Gambino, më i spikaturi
Carlo Gambino, kreu i familjes Gambino. Ai qe ndryshe në atë se vdiq në shtëpi, në krevat, thjesht pushoi së marruri frymë një ditë. Carlo Gambino rridhte nga një familje, e cila kishte qenë në mafien italiane për shekuj me radhë. Ai filloi të bënte vrasje me pagesë që adoleshent dhe, po adoleshent, u bë kryetar bande. Por kur Musolini filloi të fuqizohej, Gambino emigroi në USA, atje ku jetonte kushëriri i tij, Frank Costello. Ai u bë “i forti” i shumë familjeve mafioze, derisa në fund u bashkua me Laki Luçianon.
Pas ekstradimit të Laki Luçianos në vitet “40, Alberto Anastasia mori pushtetin në dorë, por Gambino mendoi se ishte moment i tij për të shkëlqyer, kështu që e vrau Anastasian në vitin 1957. Ai u vetemërua Boss dhe sundoi me dorë të hekurt gjithë Nju-Jorkun, derisa vdiq nga shkaqe natyrale në vitin 1976. Ai u pasua nga dhëndëri i tij, Paul Castellano, i cili u ndihmua shumë në këtë drejtim nga John Gotti, i cili mori drejtimin e familjes Gambino. Kontrasti midis Gambino dhe Gotti qe i madh.
Gambino bënte një ekzistencë të padeshifrueshme, nuk kishte asnjë vilë të madhe, nuk e tërhiqte vëmendjen ndaj vetes duke u sjellë nëpër qytet me femra.
-Al Capone, peranori i krimit
Nuk mund të mos përfshihej në listën e mafiozëve më të njohur në histori, personi që ka shumë mundësi të jetë në mendjen e të gjithëve: Al Capone. Për vite të tëra dukej se ai ishte i pakapshëm nga ligji. Si kryetari i perandorisë kriminale italiane–amerikane në Çikago, ai ishte fajtor për krime të panumërta, duke filluar nga kumari dhe prostitucioni, kontrabanda dhe trafikimi i lëndëve narkotike, vjedhje, rryshfet dhe vrasje. Pavarësisht karrierës së gjatë kriminale, ai u bë më i njohur për Masakrën e Ditës së Shën Valentinit gjatë së cilës u vranë shtatë anëtarë të rëndësishëm të një bande rivale. Pavarësisht krimeve të shumta, ishte pikërisht krimi i tij më i vogël që çoi në arrestimin e tij: evazion fiskal. Krimi më i vogël – dhe dënimi i lehtë që jepej për të – bëri që ai të kalonte 7 vjet, 6 muaj dhe 15 ditë prapa hekurave.
-Çarls “Lucky” Luciano, babai i krimit të organizuar
Çarls “Lucky” Luciano ishte “babai” që lindi krimin e organizuar. Bosi i qytetit të New Yorkut ndërtoi modelin aktual të mafias legjendare, duke e shndërruar aktivitetin e vogël kriminal në një sipërmarrje operuese që siguronte përfitime të mëdha.
Bashkë me ortakun e tij Meyer Lansky, Luciano krijoi dhe një bord drejtorësh. Bosi kriminal i familjes Gjenoveze hapi dyqane në lagjen juglindore të New Yorkut dhe filloi të shoqërohej me persona të ngjashëm me Frank Sinatrën, deri në momentin që prokurori amerikan Thomas Dewey akuzoi Lucianon me 62 akuza për ndjekje penale.
Ai u ekstradua në Itali në 1946 dhe një vit më pas u shfaq sërish në Kubë. Por ai nuk e fitoi më asnjëherë statusin që kishte dikur dhe jetën duke i dhënë fund jetës që ai bënte dikur. Ai vdiq në 1962.
Joe Bonanno, mafiozi tjetër i filmit “Kumbari”
20 vite më parë, ai i kënaqur ritregoi jetën e tij: “Të tjerët nuk janë më kështu që unë mund të tregoj jetën time dhe të tyren”.
Të tjerët qoftë miqtë, qoftë armiqtë e bënë Nju Jorkun dhe Amerikën të dridhej. Frank Costello, Vito Genovese, Albert Anastasia, John Gambino, Joe Gallo, Lucky Luciano ishin në luftë të përjetshme për fronin e “Kumbarit të kumbarëve”.
Gjatë 30 viteve si bosi i familjes Bonanno, ishte i vetmi mafioz që nuk u akuzua dot për ndonjë krim.
Vetëm kur ishte në pension bëri 8 muaj. Në vitin 1980 Bonanno u arrestua për pengim të drejtësisë, dhe u dënua me 5 vjet burg, por bëri vetë 8 muaj për shkak të problemeve me shëndetin
Ai gati sa nuk qeverisi Cosa Nostra-n, por kur paqja mafioze u copëtua ai vendosi të largohej nga Nju Jorku duke emigruar në Arizona. Që nga 1981 jetonte i vetëm në një shtëpi të madhe. Si një arkivues që ishte, ruante dokumentat e jetës. “Nuk është jeta që tregojnë gazetat, apo librat. As nuk i ngjan teatrit të shpikur nga Mario Puzo. Edhe filmin me Marlon Brando-n nuk kam dashur ta shoh kurrë. Jetën e kam përballuar me respektin që emri im ka, dhe krenarinë e të bërit pjesë te miqtë më të besueshëm”, pati deklaruar ai.
Giuseppe nuk ishte i pari mafioz në familjen e tij. Babi, gjyshi dhe stërgjyshi i tij ishin burra të nderit dhe të jashtëligjshëm. Joseph Bonanno ishte i bukur, elegant, e fliste pak. Studioi në Castellammare. Ai citonte shpesh Makiavelin. “Nju Jorku i viteve 50’ më dukej sikur isha ulur në një vullkan”. 5 familje italo-amerikane kishin kontroll mbi çdo gjë. Këtu filloi lufta. 10 vite të përgjakshme. Në tetor të vitit 64’ atij iu organizua një kurth. Ai zbriti nga një taksi në Park Avenue. Binte shi, dhe dy persona e qëllojnë pas krahëve. Bonano kupton, nuk proteston. Për 19 muaj FBI-ja, Interpoli, CIA dhe shërbimet sekrete italiane e franceze përpiqen të kuptojnë nëse është gjallë a ka vdekur. Vetëm Billi, djali i tij, merr vesh që është mirë. Mes tyre ekziston një marrëveshje. Duhet të takoheshin çdo tre të marta, në 8 të darkës, në një kabinë telefoni në Long Island. Pas një viti telefoni bie dhe një zë që Billi nuk e njeh thotë: “Do të kthehet”. Kthehet më 17 maj të 1966-s në një kohë kur lufta mes klaneve kishte shkatërruar perandorinë Bonanno.
Një zotëri me kapele dhe rroba të gjera të zeza, hyn në sallën 318 të Gjykatës Shtetërore të Foley Square dhe tha: “Quhem Joseph Bonanno. Mora vesh se donit të më merrnit në pyetje”. E bëjnë këtë gjë për javë me rradhë. Joe-ja nuk i përgjigjet Amendamentit të Pestë. Mban të veshur të njëjtën xhaketë, të njëjtën këmishë dhe çdo gjë tjetër që mbante kur e larguan. Ku? Kur i bënë këtë pyetje, ai qeshi duke thënë: “E kujt i duhet tani?”.
Bonanno (i njohur nga të gjithë si Joe Bananas), vdiq në moshën në vitin 2002 në moshën 97-vjeçare, në shtëpinë e tij. U largua me shumë mistere.
Asnjë kapobandë nuk i ngjan deri më sot. E gjithë bota e krimit, në një farë mënyre pak romantike, vdiq bashkë me të.