Në një studim të vitit 2003, filozofi i Universitetit të Oksfordit, Nick Bostrom, hodhi hipotezën që realiteti ynë mund të jetë një simulim kompjuterik i ëndërruar nga një civilizim shumë i përparuar. Në letër, ai argumentoi se të paktën një nga tre propozimet e tij duhet të jetë i vërtetë:
-Qytetërimet zakonisht zhduken përpara se të krijojnë aftësinë për të krijuar simulime të realitetit.
-Qytetërimet e përparuara zakonisht nuk kanë interes të krijojnë simulime të realitetit.
-Pothuajse me siguri po jetojmë brenda një simulimi kompjuterik.
Tani, 17 vjet më vonë, astronomi i Universitetit të Columbia, David Kipping, i ka rishikuar me kujdes këto propozime, të njohura gjithashtu si “trilema” e Bostrom dhe argumentoi se ka në thelb një shans 50-50 që ne me të vërtetë mund të jemi duke jetuar në një simulim, raporton “Scientific American”.
Kipping hodhi poshtë dy propozimet e para, duke argumentuar se të dyja do të çonin në të njëjtin rezultat – ne nuk po jetojmë brenda një simulimi.
Kipping argumenton gjithashtu se sa më shumë shtresa të realitetit të ketë një simulim, si kukullat ruse, aq më shumë burimet kompjuterike do të zvogëloheshin.
Me fjalë të tjera, sa më thellë të shkoni në “vrimën e lepurit”, aq më pak fuqi kompjuterike do të duhet për të krijuar një simulim bindës.
Përfundimi i astronomit pasi ka përllogaritur numrat është se ka rreth 50 për qind shanse që të dyja hipotezat të jenë të vërteta.
Por nëse njerëzit do të dilnin ndonjëherë me një simulim të tillë, atëherë gjërat do të ndryshonin rrënjësisht.
“Atëherë mbetet vetëm hipoteza e simulimit”, tha Kipping. “Ditën kur do të shpikim atë teknologji, ajo ndryshon shanset nga pak më të mira se 50-50 që të jemi tani, meqë pothuajse me siguri nuk jemi realë, sipas këtyre llogaritjeve”.
Gjetje të tjera mund ta ngrenë pikëpyetje. Po sikur të mund të zbulonim një “defekt në Matrix” që tregon se realiteti ynë është një simulim?
Ka nga ata që argumentojnë se gjatë disa dekadave të ardhshme, njohuritë tona kompjuterike do të na lejojë të konfirmojmë njëherë e përgjithmonë nëse jetojmë në një simulim apo jo.
Tani për tani, ne duhet të mjaftohemi me faktin se thjesht nuk e dimë.