Kryesore “Jo-ja” e negociatave, Zaev: Shkojmë në zgjedhje të parakohshme

“Jo-ja” e negociatave, Zaev: Shkojmë në zgjedhje të parakohshme

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, në një konferencë për mediat paraditen e së shtunës, ka propozuar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare pasi nuk mori dritën jeshile për hapjen e negociatave.

Zaev theksoi se BE nuk e ka mbajtur fjalën, ndërsa e cilëson këtë si një gabim historik.

“Para dy ditësh Brukseli na bëri padrejtësi. Ne kemi kryer të gjitha obligimet. Ata nuk e mbajtën fjalën dhe nuk dhanë datë. Kjo është një gabim historik i Europës. Falënderojmë shumicën e liderëve të Europës. Ky është një vendim i Europës dhe problemeve të tyre të brendshme. Ne jemi përgjegjës dhe kjo kërkon nga ne vendim serioz, secili politikan duhet të jetë përgjegjës. Dal me përgjegjësi para qytetarëve. Ëndrra europiane e Maqedonisë nuk do të shuhet. Për këtë marr përgjegjësi, organizojmë zgjedhje të parakohshme parlamentare, ky do të jetë edhe propozimi im në mbledhjen e liderëve”, tha mes tjerash Zaev.

Zaev, pavarësisht vendimit, u shpreh se marrëveshja e Prespës me Greqinë duhet të vazhdojë. “Duhet më shumë të vazhdojmë me reformat pasi që aspiratat tona për BE-në nuk janë vetëm për t’u anëtarësuar, ne duhet të sjellim Europën te qytetarët. Nëse jemi të mençur do të i’u tregojmë të gjithëve se kështu të de-motivuar do të vazhdojmë me reformat. Sepse vetëm kështu qytetarët do të ndjejnë Europën. Marrëveshja e Prespës duhet të vazhdojë të implementohet”, tha Zaev.

Më parë kreu i partisë më të madhe opozitare, VMRO-DPMNE, Christian Mickoski pas bërjes publike të vendimit të Brukselit kishte kërkuar zgjedhje të reja “si pasojë logjike”. Kurse presidenti i Maqedonisë së Veriut, Pendarovski u shpreh se megjithë këtë dështim “ne jemi një vend europian dhe kemi të drejtën të jemi pjesë e shtëpisë së përbashkët europiane“.

,