Kulturë Joaquin Phoenix tregon mbi dietën ekstreme për t’u shndërruar në Joker

Joaquin Phoenix tregon mbi dietën ekstreme për t’u shndërruar në Joker

Joaquin Phoenix hodhi poshtë pretendimet se ai kishte ngrënë vetëm një mollë në ditë për të humbur më shumë se 23 kilogramë në mënyrë që të luante sa më mirë rolin e Joker në filmin e fundit me të njëjtin emër. Megjithatë pranoi se kishte ulur ndjeshëm sasinë e ushqimit që kishte konsumuar.

Aktori 44-vjeçar tha se ishte e vërtetë që kishte ngrënë një mollë në ditë, por përveç saj kishte ngrënë edhe lakra dhe barbunja. Në një intervistë për “Access Hollywood”, Phoenix tha se nuk ishte hera e parë që ai i ishte nënshtruar një diete të tillë drastike. “E kam bërë edhe më parë dhe kjo bëhet nën kujdesin e mjekëve, kështu që është e sigurt”, u shpreh ai. “Por ishte e vështirë. Todd (Philipps, regjisori) mbante gjithmonë disa bukë të vogla për të cilat unë vdes. E mbante zyrën e mbushur plot me to”.

Filmi, i cili del në kinematë botërore në tetor, tregon historinë e shndërrimit të një komediani të dështuar në Joker, armikun numër 1 të superheroit Batman. Filmi është mirëpritur së tepërmi nga kritika dhe pas fitimit të “Luanit të Artë” në Venecia është futur në listën e kandidatëve për të fituar edhe një çmim Oscar.