Qasja e administratës së re amerikane ndaj ndryshimeve klimatike, me sa duket do të jetë diametralisht e kundërt me atë të ish-presidentit Donald Trump.
Presidenti demokrat Joe Biden pritet të nënshkruajë një seri vendimesh që do të vejnë vëmendjen ndaj ndryshimeve klimatike në qendër të politikave të Shtëpisë së Bardhë, pas lajmit të javës së kaluar ku SHBA i është rikthyer marrëveshjes ë Parisit për Klimën, si dhe anulimin e naftësjellësit Keystone Xl që do të lidhte Kanadanë me SHBA.
Vendimet e reja përfshijnë vendimin që SHBA të ruaj të paktën 30% të territorit të saj federal brenda vitit 2030, si dhe anulimin e disa koncesioneve private për eksplorimin e gazit dhe naftës në tokën dhe ujërat publike.
Një tjetër vendim i Biden do të jetë krijimi vendeve të punës që kanë qëndrueshmëri me qasjen ekologjike, si dhe ligje që do të mbrojnë personat që ndodhen në vende të goditura nga ndryshimet klimaterike.
Shtëpia e Bardhë ka siguruar edhe fonde më të mëdha për kërkimin shkencor në këtë sektor me objektivin për të zëruar emetimet brenda vitit 2050.
I dërguari special i presidentit për klimën është ish-kandidati për president John Kerry, dhe do të jetë ai që pritet të shpjegojë në detaje planet e presidentit Biden.