Ish-nënpresidenti amerikan, Joe Biden, u bashkua zyrtarisht të enjten në garën e ngushtë të demokratëve për të fituar kandidaturën për zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm në Shtetet e Bashkuara.
Ai e shpalli vendimin në një video të postuar në rrjetin Twitter, duke deklaruar se “jemi në betejë për shpirtin e këtij kombi”.
“Nëse iu japim Donald Trumpit tetë vjet në Shtëpinë e Bardhë, ai do të ndryshojë përgjithmonë dhe rrënjësisht karakterin e këtij kombi. Nuk mund të rri e të shohë se çfarë po ndodhë”, tha ai.
Tashmë janë bërë 20 kandidatë demokrat që luftojnë për të fituar kandidaturën për zgjedhjet presidenciale, ndërsa emra të tjerë më pak të njohur mund t’i bashkohen garës.
Joe Biden, 76-vjeçar, bëhet ndër kandidatët kryesor bashkë me senatorin nga Vermonti, Bernie Sanders, i cili udhëheqë në shumë anketa dhe është dëshmuar si mbledhës i mirë fondesh.
Në mesin e demokratëve, zoti Biden ka përvojë ndërkombëtare dhe legjislative të pashoqe dhe është ndër fytyrat më të njohura në politikën e Shteteve të Bashkuara.
Në bazë të sondazhit të Morning Consult/Politico ish-numri dy i Barack Obamës është në avantazh mbi Donald Trump me 8 pikë përpara për zgjedhjet e Shtëpisë së Bardhë në vitin 2020.
Biden gëzon mbështetjen e 42% votuesve të regjistruar kundër 34% që ka Trump. 19% janë deklaruar të pavendosur, ndërsa 5% kanë deklaruar se nuk do të votojnë.
Avantazhi i Biden mbi Trump është akoma më i madh mes grave (45% janë pro demokratit dhe 28% pro republikanit) dhe mes “millennials”, ku është në krye me plot 22 pikë. Sondazhi është zhvilluar mes 19 dhe 21 prillit.
The core values of this nation… our standing in the world… our very democracy…everything that has made America — America –is at stake. That’s why today I’m announcing my candidacy for President of the United States. #Joe2020 https://t.co/jzaQbyTEz3
— Joe Biden (@JoeBiden) April 25, 2019