Bota Joe Biden mban fjalimin e parë si president: Është koha të shërojmë...

Joe Biden mban fjalimin e parë si president: Është koha të shërojmë Amerikën

Nga shteti i Delawere, përballë një turme të entuziazmuar në një parking që thërriste emrin e tij prej disa orësh, Joe Biden mbajti fjalimin e tij të parë të dielën pasi projeksionet e nxorën fitues të zgjedhjeve dhe presidentin e 46 të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Është koha të bashkohemi”, ky ishte thelbi i këtij fjalimit të demokratit Biden drejtuar 70 milionë votuesve të tij, por edhe atyre të presidentit Trump.

“Njerëzit e këtij vendi folën. Ata na dhanë një fitore të qartë, një fitore bindëse. Zotohem të jem një president që nuk kërkon të ndajë, por të bashkojë. Tani, le t’i japim njëri-tjetrit një shans. Është koha të heqim dorë nga retorika e ashpër, të ulim zemërimin, të shikojmë dhe dëgjojmë njëri-tjetrin përsëri. Kjo është koha e shërimit në Amerikë”, u shpreh Joe Biden.

“Le t’i japim njëri-tjetrit një shans”

Pa përmendur drejtpërdrejt rivalin e tij republikan, presidenti i zgjedhur Joe Biden zgjodhi t’iu drejtonte dhe një mesazh mbështetësve të Trump.

“Të gjithë atyre që votuan për Presidentin Trump, unë e kuptoj zhgënjimin sonte. Unë vetë kam humbur disa herë. Por tani, le t’i japim njëri-tjetrit një shans. Tani, le t’i japim njëri-tjetrit një shans. Populli amerikan dëshiron që demokratët dhe republikanët të bashkëpunojnë, dëshiron që demonizimi në Amerikë të fillojë të marrë fund. Unë do të punoj po aq shumë për ata që nuk më votuan sa edhe për ata që më votuan”, theksoi Biden.

Vendimi i parë i Biden do të ketë lidhje me koronavirusin. Ai u shpreh se do të formojë një komitet dhe do të jetë gati në ditën e inaugurimit të Biden si President.

“Mund të jem femra e parë në këtë zyrë, por nuk do të jem e fundit”

Por me zgjedhjen e Biden, Amerika ka hyrë në histori edhe prej zv/Presidentes. Amerikanët kanë zgjedhur Kamala Harris e cila do të jetë e para femër në historinë e SHBA-së si zv/Presidente.

Ajo është e para femër me ngjyrë dhe që i përket komunitetit aziatik që pritet të marrë rolin e rëndësishëm. “Mund të jem femra e parë në këtë zyrë, por nuk do të jem e fundit”, tha ajo.

“Ju zgjodhët shpresën dhe bashkimin, shkencën dhe të vërtetën. Zgjodhët Joe Biden si Presidentin e ardhshëm të SHBA-së. Rruga përpara nuk do të jetë e lehtë, por Amerika është gati. Unë edhe Joe jemi gati”, tha ajo.