Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden ka prezantuar ditën e hënë anëtarët kryesorë të kabinetit të tij për politikën e jashtme dhe sigurinë kombëtare.
Alejandro Mayorkas është caktuar nga Biden në postin e sekretarit të Departamentit të Sigurisë Kombëtare dhe do të jetë i pari me origjinë latine në këtë agjenci. Mayorkas, i cili ka shërbyer dhe më parë në postin e zv/sekretarit, i është ngarkuar detyra për rindërtimin e këtij Departamenti, të goditur rëndë nga politikat e forta kundër emigracionit të Trump, ku shpesh herë u ndanë dhe familje të tëra në kufirin mes SHBA dhe Meksikës.
Avril Haines, një ish-zyrtare e CIA dhe zv/këshilltar për sigurinë kombëtare është caktuar të drejtojë Inteligjencën Kombëtare dhe do të jetë gruaja e parë në këtë post kaq të rëndësishëm.
Bie në sy rikthimi në administratën e Biden emri i John Kerry, i cili do të jetë i dërguari special i presidentit për çështjet e klimës. Kerry njihet dhe si një ndër mbështetësit kryesore të Marrëveshjes së Parisit, nga e cila presidenti Trump u tërhoq.
Më herët mediat raportuan se presidenti i zgjedhur kishte caktuar si Sekretar të Shtetit, Antony Blinken dhe Linda Thomas-Greenfield, ambasadore në Kombet e Bashkuara.
Blinken, një bashkëpunëtor i ngushtë i Biden ka shërbyer më parë dhe në rolin e një ndihmës këshilltari në administratën e Obamës.
“Këta individë janë me përvojën e nevojshme dhe janë testuar në sfida të mëparshme po aq sa janë dhe inovativë dhe krijues. Arritjet e tyre në diplomaci nuk kanë të krahasuar, por gjithashtu reflektojnë idenë se nuk mund të arrijmë të përballemi me sfidat e momentit me mendime të vjetruara dhe zakone të pandryshuara apo pa diversitet dhe perspektivë”, shkruan Biden në një deklaratë.