Ndërsa Amerika shënon mbi 400 mijë viktima nga koronavirusi, presidenti i ri Joe Biden nuk humb kohë dhe prezanton një plan ambicioz për kthimin e trajektores. Duke akuzuar administratën paraardhëse për mungesë strategjie në luftën kundër pandemisë, Biden prezantoi atë që e quajti një plan të bazuar te shkenca e jo politika, e që parashikon ndër të tjera zgjerimin e fushatës së vaksinimit, testimeve dhe forcim të protokolleve për maskat.
Kjo është një sipërmarrje lufte, tha kreu i ri i Shtëpisë së Bardhë, i cili paralajmëroi se bilanci i viktimave mund të arrinte shpejt në 500 mijë.
“Më lejoni të jem i qartë. Gjërat do të vazhdojnë të përkeqësohen para se të përmirësohen. Me gjasë bilanci i viktimave mund të arrijë në 500 mijë, muajin e ardhshëm. Rastet do të vazhdojnë të rriten. Ne nuk u zhytëm në këtë krizë brenda natë dhe do të duhen muaj para se të kthejmë trajektoren. Por, ne do t’ia dalim. Do ta mundim këtë pandemi, ndihma është rrugës”.
Në ditën e tij të parë të plotë në Shtëpinë e bardhë Biden firmosi 10 urdhra ekzekutivë për të intensifikuar luftën kundër pandemisë. Masat parashikojnë gjithashtu shfrytëzim të ligjit të mbrojtjes për prodhimin, për materialet thelbësore të tilla si maskat, apo shiringat. Qëllimi është që shkollat të hapen brenda 100 ditëve dhe të ngrihen qendra vaksinimi në stadiume dhe ambiente të tjera komunitare.
Udhëtarët që vijnë nga jashtë do të duhet të tregojnë testin negativ para nisjes për në SHBA, dhe të vetëkarantinohen për 14 ditë. Mbajtja e maskave dhe distancimit social do të jetë e detyrueshme në godinat federale, aeroporte, avionë, trena dhe autobusë. Ndryshe nga administrata paraardhëse që ia linte në dorë shteteve të vendosnin, Biden propozon një strategji kombëtare. Presidenti e cilësoi një dështim të plotë planin e Trump të shpërndarjes së vaksinës.