Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden ka prezantuar planin e administratës së tij për të vaksinuar popullsinë amerikane.
Joe Biden deklaroi të premten se ai do të urdhërojë rritjen e prodhimit të pajisjeve të nevojshme për shpërndarjen e vaksinave, të tilla si prodhimi i gjilpërave, shiringave dhe shisheve të qelqit.
Në këtë mënyrë, tha Biden, do të përmirësohet administrimi që Trump i ka bërë kësaj çështje, të cilën Presidenti i zgjedhur e quajti “dështim të tmerrshëm”.
Joe Biden deklaroi gjithashtu se do të krijohen mijëra qendra vaksinimi dhe do të dalin në shërbim mjekët në pension, të cilët do të shërbejnë duke vaksinuar mësuesit, punonjësit e dyqaneve ushqimore, njerëzit mbi 65 vjeç dhe grupe të tjera.
Më shumë se 390 mijë persona në SHBA kanë humbur jetën nga koronavirusi. Një këshilltar i lartë i Biden tha se numri i viktimave në Amerikë mund të arrijë deri në 500 mijë vetë në muajin Shkurt.
SHBA është shteti me numrin më të lartë të të infektuarve me Covid-19.