Kryeministri i Britanisë, Boris Johnson do të takohet me liderët e Bashkimit Evropian, javën që vjen. Ai pritet të kërkojë një marrëveshje të re Brexit, me qëllim që të shmanget dalja e Britanisë nga BE-ja pa marrëveshje.
Në udhëtimin e tij të parë si kryministër jashtë vendit dhe drejt kontinentit të vjetër, Johnson pritet të takojë presidentin e Francës Emmanuel Macron dhe kancelaren gjermane, Angela Merkel, përpara se të marrë pjesë në samitin e G7, që do të mbahet nga 24 deri më 26 gusht në Francë.
Burime brenda qeverisë britanike thonë se Johnson do t’i thotë Macronit dhe Merkelit se Britania do të largohet nga BE-ja më 31 tetor, me ose pa marrëveshje dhe se Parlamenti britanik nuk mund ta ndalojë një gjë të tillë.
Bashkimi Evropian ka bërë të qartë në mënyrë të vazhduar se nuk do ta rinegociojë marrëveshjen e Brexit me Britaninë.
Marrëveshja u pat arrit në nëntor të vitit të kaluar nga paraardhësja e Johnsonit, Theresa May, e cila dha dorëheqjen pasi parlamenti britanik nuke pranoi marrëveshjen.
Nga ana tjetër, nuk është e qartë nëse ligjvënësit britanikë kanë unitetin e duhur, apo edhe fuqinë që përmes Parlamentit të parandalojnë që vendi të dalë nga BE-ja pa marrëveshje, raporton Dita, duke iu referuar mediave ndërkombetare.