Bota Johnson paralajmëron: Në Europë po shihen shenjat e një vale të dytë...

Johnson paralajmëron: Në Europë po shihen shenjat e një vale të dytë të pandemisë

Kryeministri britanik, Boris Johnson ka paralajmëruar se në Europë po shihen shenja të një vale të dytë të koronavirusit. Gjatë një vizite në Nottingham, Johnson ka mbrojtur vendimin e qeverisë së tij për të karantinuar me 14 ditë çdo person që hyn në vend nga Spanja.

“Ajo që ne duhet të bëjmë është të marrim vendime të shpejta dhe të vendosura aty ku mendojmë se ka rrezik vatrash sërish. Të jemi fare të qartë rreth asaj që po ndodh në Europë. Mes disa prej miqve tanë europianë, kam frikë se po shihen shenjat e një vale të dytë të pandemisë”, tha Johnson.

Aktualisht në Spanjë dhe në Gjermani ka shtim të rasteve ditore, ndërkohë që së fundmi edhe në Kinë dhe Vietnam, situata po përkeqësohet. OBSH vetë ka paralajmëruar për një rrugë të gjatë drejt fundit, ndërkohë që skenari që po vepron është i ngjashëm me pandeminë e 1918-ës, në terma kohorë.

Pas Spanjës, një karantinë e mundshme edhe për Gjermaninë e Francën

Britania po shqyrton rastet e reja më koronavirus në Gjermani dhe Francë, duke parë nga afër situatën në destinacionet më të frekuentuara në sezonin veror, deklaroi ministrja e Shëndetësisë, kur u pyet nëse do të ketë një vendosje të karantinës dy- javore për udhëtarët që vijnë nga këto shtete.

Të dielën Britania vendosi karantinë 14-ditore për udhëtarët që vijnë nga Spanja, pas një numri të lartë të rasteve të reja në Katalonja dhe Murcia.

Vendimi, trazoi planet e qindra mijëra turistëve britanikë që çdo vit pushojnë në brigjet e Mesdheut.

“Ne duhet ta mbajmë situatën nën vëzhgim dhe unë mendoj që kjo është ajo që publiku duhet të pres nga ne”, tha ministrja e re e Shëndetësisë Helen Whately kur u pyet për Gjermaninë dhe Francën, që ndoshta janë pranë faktit për t’u përballur sërish me një karantinë.

“Nëse ne shohim që normat rriten në një vend ku për momentin nuk ka nevojë për karantinë, nëse shohim që rastet rriten me ritme të shpejta, do të duhet të ndërmarrim veprime, sepse nuk mund të marrim rrezikun që koronavirusi të përhapet sërish në Mbretërinë e Bashkuar”.

Një total prej 9,835 fluturimesh janë planifikuar nga Mbretëria e Bashkuar drejt Spanjës midis 26 korrikut dhe 31 gushtit, që përkthehet në total me afërsisht 1.8 milion vende të planifikuara, sipas analistëve të Aviacionit britanik.

Gjermania, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar janë shpenzuesit më të mëdhenj të turizmit europian.

Pas vendimit për vendosjen e karantinës me Spanjën, aksionet e linjave ajrore ranë: EasyJet ra 13%, IAG me 7% dhe kompania e udhëtimeve TUI me 8%.

Spanja, një nga më të preferuarat për britanikët, tha se ishte e sigurt për turistët dhe se po përpiqej të bindte Londrën se duhet të përjashtonte nga masa e karantinës ishujt Balearik dhe Kanarinë.