Extra Jonida Vokshi bën mblesëri në dasmën e saj, loja që i përgatiti...

Jonida Vokshi bën mblesëri në dasmën e saj, loja që i përgatiti kunatit për ta lidhur me aktoren

Dasma e Jonida Vokshit dhe Besnik Krapit ka qenë e mbushur plot surpriza. Ermal Mamaqi ishte ai, i cili krijoi një atmosferë të paparë festive, që i mbajti të ftuarit të gjithë në këmbë. Gjithçka nisi me hedhjen tradicionale të buqetës, të cilën e kapi aktorja Olta Daku. Simbolika e këtij rituali tregon se vajza beqare që kap lulet ka radhën të martohet së shpejti. Ndërkohë, një tjetër lojë ishte menduar për djemtë beqarë. Në vend të luleve u hodh llastiku që nusja vendos në këmbë dhe atë e kapi vëllai i Besnikut.

Ky i fundit i vendosi llastikun në këmbë Oltës dhe krejt papritur të dy u puthën duke i habitur të gjithë. E këtë skenar në dasmën ku ishin të ftuar shumë emra të njohur të ekranit, mësohet se e ka organizuar pikërisht Jonida, e cila ka menduar të bëjë një mblesëri live, duke bërë çift shoqen e saj më të ngushtë, aktoren e njohur Olta Daku, me kunatin e saj, vëllain e dhëndrit, Besnik Krapit. Kujtojmë që pjesë e kësaj dasme VIP ishte mikesha tjetër e Jonidës, Elvana Gjata.

Mikeshë e ngushtë që prej vegjëlisë e aktores, këngëtarja kishte një rol të rëndësishëm në dasmë, atë të celebrueses. Në ditën e saj më të rëndësishme, Jonida Vokshi kishte zgjedhur si personin për të kurorëzuar dashurinë e saj mikeshën e zemrës, Gjatën. Por, ndërsa të gjithë mendonim se Elvana Gjata do të ishte më entuziaste dhe do të ndante në rrjete sociale momentet e lumtura të shoqes së saj, këngëtarja heshti. Këtë gjest ajo e bëri pas lajmeve që nisën të qarkullonin, duke ndarë një foto të dasmës në “InstaStory”.

Përqafuar me Jonida Vokshin dhe Besnik Krapin mjaft e buzëqeshur, Elvana Gjata ua dha një përgjigje portaleve me një postim të vetëm. Kujtojmë që Elvana është mikesha tjetër e ngushtë e Jonidës përveç Olta Dakut. Olta, e cila në Kosovë njihet si drejtoresha e serialit “O sa mirë”, u bë objekt i mediave direkt pasi u puth në buzë me vëllanë e dhëndrit në dasmën e Jonidës.

Dasmën e organizuar gjithçka në detaje te Mali i Robit, shumë të ftuar e konsideruan si “Rreng” që Jonida i bëri kunatit, duke improvizuar një “shpallje fejese” të Oltës, e cila deri më sot nuk është komentuar ndonjëherë për ndonjë histori dashurie në median rozë. Le të shohim nëse çifti i ri i showbizz-it, siç e kanë komentuar mediat e Kosovës, do të dalë tashmë hapur pas asaj ndodhie. Ndërkohë, sa i takon dasmës VIP, e sigurt që Jonida Vokshi dhe Besnik Krapi lanë gjurmë me dasmën e tyre.

Çifti kishin zgjedhur detaje minimaliste për dasmën e tyre, duke e bërë të veçantë. Jonida Vokshi u shfaq një nuse e thjeshtë, me një fustan saten ngjitur pas trupit dhe flokë të lëshuara. Një nuse natyrale, Jonida i kishte qëndruar besnike stilit të saj minimalist. Përkrah Besnikut, ajo u shfaq në banketin e dasmës së saj veshur me një fustan pak më pompoz, por që përsëri dukej mjaft natyrale.

Me flokët bisht dhe një makeup natyral, Jonida Vokshi si një aktore e vërtetë dhuroi një pamje të një nuseje jashtë kornizave. Me një kërcim sensual në mes të pistës, nuk munguan as puthjet në qafë nga ana e çiftit. Përveç fustaneve të thjeshta, Jonida Vokshi kishte zgjedhur të vishej me atlete, duke mos i preferuar takat.

Një nuse komode, e cila si një tabelë për të gjithë të ftuarit kishte vënë: “Hiqini takat dhe ejani të kërceni”, ndërkohë që kishte shapka me gisht për të gjithë. “Nesër hani petullat vetë…se na jena nxonë”, shkruhej në shënimet prej druri të skalitura në çdo cep të ambientit festiv. “Më fal Hanë…po sonte n’tokë …dikush tjetër ban dritë ma shumë se ti”, ishte një shënim i vendosur në pamjen kryesore të çiftit. E ndërsa në tavolina, secili i ftuar kishte një shënim: “Sonte…u shtofshi krejt ishalla!”

Në pistën e kërcimit kishin zgjedhur të guxonin, me një pjesë të xhamtë vendosur mbi një pishinë, ku reflektimi i ujit i jepte magji skenës. Atmosfera nuk mungonte dhe miqtë e Jonida Vokshit ishin të pranishëm për t’i dhënë më shumë energji natës së zjarrtë. Kështu, dasma u përjetua nga të ftuarit si një show, ku e vetmja gjë që s’duhet të bënin ishte të mos rrinin si në gjemba, siç ndodh në dasmat VIP të klasit të lartë./PANORAMA PLUS