Agjenti i famshëm, Jorge Mendes ishte në “Allianz Stadium” për të ndjekur ndeshjen Juventus-Udinese, por mediet në Itali kanë zbuluar se kjo ka qenë një pretekst për të zhvilluar një takim me drejtorin sportiv, Fabio Paratici për të negociuar për talentin e Benfica-s, Joao Felix.
Mësohet se Juventus ka interes për të marrë shërbimet e 19-vjeçarit që ka klauzolë largimi 120 milionë euro nga klubi portugez, por që operacioni mund të kryhet edhe për një shifër pak më të ulët.
Mendes, i cili ka marrëdhënie shumë të mira me Paratici-n pas marrëveshjes për Cristiano Ronaldo dhe Joao Cancelo, i ka kërkuar drejtuesit të Juventusit të tregojnë qëllimet dhe ofertën e tyre sepse nuk ka kohë, duke qenë se klube si Real Madrid, Manchester United dhe City janë vënë pas talentit.
Nëse Juventus vendos të marrë shërbimet e Felix, atëherë italianët do të jetë të avantazhuar nga klubet e tjera, këtë ia ka premtuar edhe presidenti i Benfica-s, Luis Filipe Vieira, i cili u takua me Paratici javën e kaluar në Torino.
Tashmë gjithçka e ka Juventus në dorë, Felix mund të kalojë në Torino për 100-110 milionë euro, i cili do zërë vendin e Douglas Costa, i programuar për t’u larguar në fund të sezonit.