Në momentin kur u duk se transferimi i Kylian Mbappé te Real Madrid ishte kryer, tashmë telenovela e merkatos merr një tjetër drejtim. Këtë të diel pritet edhe njoftimi zyrtar i yllit francez për të ardhmen, ku me gjasë ai do të njoftojë qëndrimin në Paris.
Kundër oferta financiare e bërë nga drejtuesit e klubit francez, duket se e ka bindur Mbappe të mos largohet. Kjo pavarësisht se ai i dha fjalën Realit, për të vijuar karrierën në Bernabeu. Teksa oferta prej 200 milionë eurove, e bërë disa muaj më parë nga madrilenët u refuzua, gjigandët spanjollë menduan se në 30 qershor, lojtari do të largohej me parametër zero.
Por ndërhyrja e presidentit Al-Khelaifi ka ndryshuar situatën. Paris Saint Germanin i ka ofruar Mbappe kontratë me pagë 50 milionë euro në vit, 10 milionë më tepër se oferta e Realit. Sulmuesi do të përfitonte gjithashtu 120 milionë euro bonuse që lidhen me firmën dhe do të mbante për vete thuajse të gjitha përfitimet financiare nga e drejta e imazhit.
Gjithashtu, klubi parizien i ofron mundësinë që futbollisti të zgjedhë gjithçka për sa i takon projektit sportiv. Mbappe mund të vendosë cilët shokë skuadre dëshiron të ketë, por edhe trajnerin. Tolerime që e kanë bërë 23-vjeçarin të zgjedhë qëndrimin në Paris.