‘L’Equipe’ nuk ka dyshime. PSG është shumë afër akordit me trajnerin gjerman, Julian Nagelsman. Bashkë me të mund të vijë në skuadër edhe ish-kampioni i botës në 1998-ën, Tierri Henri.
Nuk ka kohë as për të festuar titullin e 11-të në Ligue 1, PSG po shpejton për trajnerin e ri. Në Paris luajtën ndeshjen e fundit Lionel Mesi dhe Serxho Ramos, por ndeshja e fundit ishte edhe për trajnerin Kristof Galtier, i cili do të shkarkohet edhe pse ka edhe një vit kontratë. Sipas ‘L’Equipe’, përparësi është Julian Nagelsman, i larguar nga Bajerni në mars, pasi eliminoi në 1/8-at e Championsit pikërisht PSG-në.
Emiri i Katarit këto ditë ndodhet në Paris, po ndjek Roland Garros dhe skuadrën në ndeshjen e fundit, ku ajo humbi 2-3 me Klermont. Mesi u largua mes vërshëllimash, Ramos mes duartrokitjesh, kurse trajneri Galtier u shpreh: “Drejtuesit nuk më kanë komunikuar asgjë. Duhet të bëjmë një bilanc, nuk do të bëja disa gabime, sidomos ato pas Botërorit”.
Por është shumë vonë për Galtier. PSG fitoi titullin, por doli nga skena e madhe e Championsit shumë shpejt, po ashtu edhe nga Kupa e Francës. Nagelsman është kandidat kryesor për momentin, pastaj vijnë me radhë Zidan, Enrike, Mota dhe Mourinjo.
Gjermani i ka parakaluar të gjithë. “Bisedimet kanë avancuar, – shkruan prestigjiozja franceze, – akordi është shumë afër”. Dhe si zëvendës të Nagelsman përmend Tierri Henri, i cili e ka ndjekur sezonin e PSG-së dhe e ka kritikuar ashpër si opinionist në ‘Prime Amazon’. Janë ditë shumë të rëndësishme për projektin e PSG-së, të bazuar te Mbape.