Një situatë delikate te Barcelona për trajnerin Ronald Koeman, i cili ka qenë në dyshim që nga fillimi i sezonit, akoma më shumë pas “El Clasico” së humbur ndaj Real Madridit. Trajneri holandez u sulmua nga tifozët katalanas, të cilët nuk pajtohen me ecurinë e skuadrës së tyre të zemrës.
Në të vërtetë, në Spanjë janë të bindur se drejtuesit katalanas po mendojnë për të ardhmen. Nëse emri i Xavi, ish-flamur i klubit, mbetet gjithmonë në “pole position” për të ardhmen, gazeta “Sport” flet edhe për një tjetër top-trajner europian: Jurgen Klopp. Sipas kësaj gazete shumë pranë blaugrana-ve, në fakt ëndrra e vërtetë e Barcelonës mbetet trajneri gjerman, tashmë te Liverpool.
Pavarësisht kontratës që i skadon në vitin 2024 dhe ndjenjës së madhe mes tij dhe popullit të kuq, e ardhmja e tij do të varet shumë se si përfundon sezoni aktual. Disa pakënaqësi në vitin e kaluar mund të kishin ndryshuar mendimet e tij për të qëndruar në Angli, por ky fillim sezoni mes Champions League dhe Premier League duket se ka sjellë paqen mes palëve.
Nuk është aspak një objektiv i thjeshtë, por presidenti e Barcelonës, Joan Laporta shpreson ta bindin trajnerin gjerman të lërë Liverpool-in, ku ka fituar gjithçka vitet e fundit. Barcelona mund të jetë një sfidë mjaft stimuluese për Klopp, i cili deri tani ka drejtuar në Gjermani dhe në Angli.
Në çdo rast, shumë do të varet nga rezultatet që do të arrijë Liverpool, por mbi të gjitha nga ajo që Barcelona do t’i ofrojë verën e ardhshme. E sigurt është se blaugrana-t janë në kërkim të një trajneri të aftë për t’u lidhur me grupin dhe për ta bërë atë të performojë më mirë. Në këtë kuptim, Klopp do të ishte perfekt.