Maurizio Sarri nuk është më trajneri i Juventusit. Vendimi është marrë pak minuta më parë nga drejtuesit e ekipit që ka fituar 9 herë radhazi Serie A. Zyrtarizmi pritet të vijë brenda disa orësh.
Eliminimi nga Lioni në Champions League i ka kushtuar vendin trajnerit të kampionëve të Italisë.
Mauricio Pochettino, Zinedine Zidane dhe Simone Inzaghi janë ndër kandidatët kryesorë për ta zëvendësues.
Presidenti i bardhezinjve, Andrea Agnelli, nuk e fshehu aspak mbrëmë zhgënjimin për eliminimin nga Liga e Kampionëve dhe paralajmëroi ndryshime.
“Të eliminohesh kështu është zhgënjyese, ndaj do të marrim disa ditë kohë për të reflektuar dhe për t’u përgatitur të përballojmë sezonin e ardhshëm në mënyrën më të mirë të mundshme. Nëse deri para disa vitesh, Championsi ishte një ëndërr për ne, tani është një objektiv që duhet arritur, pasi kemi një organikë nga më të mirat në Europë”, u shpreh numri një i bardhezinjve.
Agnelli konfirmoi drejtuesit Paratici e Nedved, duke i komplimentuar për punë ne bërë dhe “shtrëngoi” fort Cristiano Ronaldon.
“Do të bëjmë një analizë të thellë për të parë ku kemi gabuar dhe natyrisht që në vlerësim do të kalojë edhe trajneri. Ronaldo është një shtyllë e Juventusit dhe do të vijojë të qëndrojë këtu edhe për dy vitet e ardhshme, ndërsa Nedved dhe Paratici kanë bërë një punë shumë të mirë. Janë drejtues të zotë dhe gëzojnë besimin tim maksimal”, tha Agnelli.