Dy orë e 45 minuta zgjati seanca e CONI-t në lidhje me penalizimin e Juventusit me 15 pikë për shkak të shkeljes së rregullores së plusvalencave.
Lajmi ishte se prokurori Ugo Taucer ka bërë një hap pas duke theksuar përpara gjykatësve se avokatët kanë pjesërisht të drejtë në lidhje me ankesën për të hequr 15 pikët pezullim nga kampionati aktual.
“Kam frikë se në lidhje me nenin 4 të aplikuar për klubin, për mungesën e motivimit për 15 pikët e dënimit, ekziston një parim i themelimit të mbrojtjeve. Shpresoj te një kthim në Gjykatën Federale të Apelit me ndryshimin e masës”, tha prokurori.
Gabriella Palmieri Sandulli, që është edhe presidentja e Kolegjit të Garancisë së Sportit në Komitetin Olimpik Italian, ka lënë të kuptohet se vendimi në lidhje me klubin bardhezi do të bëhet i ditur mëngjesin e së enjtes.
Momentalisht, Juventusi mban vendin e shtatë në Serie A me 44 pikë, por rikthimi i mundshëm i 15 pikëve do ta ngjiste skuadrën bardhezi në vendin e tretë të klasifikimit me 59 pikë, dy më pak se Lazio dhe tri më shumë se Roma që ndodhet momentalisht në këtë pozicion.