Kryesore Rama në tryezën e iftarit pas operacionit, fjalimin e mban Linda, tregon...

Rama në tryezën e iftarit pas operacionit, fjalimin e mban Linda, tregon se çfarë i ndodhi në spital

Dy ditë pasi iu nënshtrua një operacioni për heqjen e apendicitit, kryeministri Edi Rama është shfaqur në një tryezë iftari të shtruar për besimtarët.

Fjalën hapëse, në vend të tij e mbajti bashkëshortja, Linda.

“Jo çdo e keqe vjen për keq. Edhe apendiciti i Edit mund të them që nuk paska ardhur vetëm për keq. Pasi falë ndërhyrjes, sot do të dëgjoni vetëm një përshëndetje të shkurtër nga unë”, tha ajo.

Gjatë fjalës së saj, zonja Rama tregoi edhe një episod që i ndodhi në spital, natën që kreu i qeverisë u shtrua për të kryer ndërhyrjen, ndërsa falënderoi edhe mjekët dhe infermierët për kujdesin që treguan.

“Rrija e ulur në karrige, pak pas mesnatës. Një prej tyre më afrohet dhe më pyet me zë të ulët: T’ju sjell një jastëk… Në dorë më la një jastëk të vogël që e mbajta në qafë gjithë natës. Në zbardhur pashë se jastëku ishte një jastëk bebesh… Është i vajzës sime më tha, e mbaj me vete kur jam në punë gjatë natës. E pashë me admirim për shpirtin e saj dhe e pyeta, si quhet vajza. Ajlina më tha. Ajlina, engjëlli me emrin e vjetër mysliman kishte qëndruar me mua si dritë e hënës në një natë të vështirë në muajin e Ramazanit”, tha Linda.