Dy gola dhe një asist. Ja se si Paulo Dybala e fitoi çmimin e lojtarit më të mirë të ndeshjes në fitoren bindëse 4-2 kundër Zenitit. Tri pikët i mundësuan Juventusit të kualifikohej edhe në mënyrë aritmetike në 1/8 finale të Ligës së Kampionëve. Argjentinasi, pas ndeshjes doli para mikrofonave të gazetarëve të “Mediaset”:
“Zhvilluam një ndeshje të shkëlqyer. Vuajtëm sa rezultati ishte në barazim, pastaj gjetëm ekuilibrin si ekip dhe ishim më lart se kundërshtari. I mbajtëm rusët larg portës sonë. Në pjesën e dytë, me durim, rezultati erdhi”.
Kualifikimi- Megjithatë, kualifikimi aritmetik në raundin tjetër për “Joya” nuk mjafton. Synimi i tij është ruajtja e kreut të grupit: “Shpresoj të vazhdojmë kështu, sonte arritëm qëllimin e parë. Do të shkojmë në Londër, kundër Chelsea, për të provuar të fitojmë dhe ta mbyllim të parët e grupit”.
Platini- Goli i Dybala që zhbllokoi sfidën në fitoren 4-2 të Juventusit ndaj Zenitit të Shën Pjetërburgut pati diçka të veçantë: Për “Joya”-n ishte goli numër 105 me fanellën e Juventusit, që do të thotë se ka thyer rekordin e një legjendë të bardhezinjve, sikurse konsiderohet Michel Platini, që ishte pjesë e “Zonjës së Vjetër” në vitet 1982-1987. Platini gjatë përvojës së tij në Torino realizoi 104 gola në të gjitha garat.
Mënyra e festimit të Dybalas, i shtrirë në fushë me kokën mbështetur në krah, ishte homazh për “Mbretin” Michel, pasi kështu e ka festuar edhe francezi një gol të bukur të shënuar në Kupën Interkontinentale, më 8 dhjetor 1985, kundër Argentinos Juniors, por që për fat të keq iu anulua.
“Festimi është sigurisht homazh për Platininë, ai është idhulli im, për futbollin dhe atë që ka bërë brenda fushës sidomos këtu, tek Juvja,” – do të shprehej Dybala pas ndeshjes. – “Doja ta bëja kur e arrita rekordin e tij në ndeshjen me Interin, por nuk ishte momenti. Shpresoj që ai ta shohë.”