Bota Debati si në Shqipëri/ Prokurorët dhe gjyqtarët janë kundër, por Albin Kurti...

Debati si në Shqipëri/ Prokurorët dhe gjyqtarët janë kundër, por Albin Kurti nuk heq dorë nga Vettingu për ta

Në takimin me grupin e punës për hartimin dhe finalizimin e projektligjit për vettingun, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është shprehur se sistemi i drejtësisë në Kosovë është i brishtë.

Për defektet dhe dështimet e këtij sistemi, sipas tij, përgjigja e vetme është vettingu.

“Pa dyshim që njëra nga shtyllat të shtetit funksional është sundimi i ligjit dhe drejtësia efikase. Fatkeqësisht sistemi ynë i drejtësisë është i brishtë në mungesë të rezultateve dhe llogaridhënieve e me drejtësi selektive të pabarabartë. Mungesa e besimit të qytetarëve në sistemin gjyqësor e prokurorial vazhdon ta karakterizojë sistemin e drejtësisë.

Diskutimet lidhur me nevojën për reformë në drejtësi janë prapa nesh dhe tashmë nuk kemi dilemë se a duhet të ndodhin a po jo kjo reformë do të eliminojë mungesën e qasjes në drejtësi për qytetarët dhe do të garantojë rezultate cilësore dhe kthim të besimit të qytetarëve në drejtësi sepse na duhen gjyqtarë të drejtë dhe efikas dhe prokurorë me integritet dhe energjik”, tha ai.

Kurti theksoi se vettingu do të sigurojë vlerësimin e mirëfilltë e profesional të integritetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

“Përgjigja ndaj defekteve dhe dështimeve të tilla për drejtësi është vetingu. Vettingu do të sigurojë vlerësimin e mirëfilltë dhe profesional të integritetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve të performancës dhe të profesionalizmit të tyre si dhe do të verifikojë pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve”, tha Kurti.

Në këtë takim nuk morën pjesë Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

Ata kanë shprehur shqetësimin për gjuhën, sipas tyre fyese të Qeverisë ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve.