Një humbje të tillë në derbi Juventus nuk e pësonte prej 10 vjetësh. Në atë kohë, Inter fitonte 2-0 me golat e Maicon dhe Eto dhe në fund të sezonit arrinte të shpallej kampion, ndërsa Juventus e mbyllte kampionatin në vendin e shtatë, -27 pikë nga vendi i parë.
Humbja e 17 janarit në San Siro është padiskutim më e hidhura e dekadës së fundit përballë një rivali direkt dhe tashmë udhëheqja e një cikli të ri të Juventus nga dikush si Andrea Pirlo ka një pikëpyetje të madhe.
Në periudhën e Maurizio Sarrit, pas 17 javësh Juventus qëndronte në të njëjtën kuotë pikësh me Inter, madje bardhezinjtë ishin ata që ndërprisnin serinë e 6 fitoreve me radhë të Inter, për të dueluar më pas me Lazion.
Sot, torinezët kanë 9 pikë më pak se një vit më parë dhe kanë mundur vetëm Milanin në një përballje direkte. Juventus nuk e harron as vitin e dytë me në krye Masimiliano Allegrin, një nga nisjet më të dobëta të sezonit.
Në sezonin 2015-2016, pas 10 javësh Zonja e Vjetër e gjente veten në vendin e 12, 11 pikë larg Romës së vendit të parë, por në fund, torinezët fituan titullin e 5-të radhazi, 11 pikë larg Romës dhe 9 pikë nga Napoli.
Në atë periudhë Juventus arriti 15 fitore radhazi në kampionat apo 25 suksese në 26 ndeshje. Skuadra e atij viti ishte kompakte, jepte garanci dhe kishte ide të qarta loje, ndryshe nga Juvja e Andrea Pirlos e cila duket e destinuar të vuajë për të mbërritur te titulli i 10-të me radhë.