Suad Idrizi, avokati i Arsen Muskurtit, i cili dy ditë më parë vrau vëllanë dhe kunatën, përgënjeshtroi lajmet se konflikti mes vëllezërve ka nisur për shkak të besimit fetar.
Në emisioni ‘Sot’ në Euronews Albania ai shpjegoi se Muskurti është klient i tij prej rreth dy vjetësh pikërisht për çështje të urdhrave të mbrojtjes dhe konflikteve me të vëllanë.
Ai tregoi se konflikti mes vëllezërve ka nisur lidhur me pronësinë e agjencisë, që e ka hapur fillimisht Arseni, i cili më pas është tërhequr nga pronësia dhe ja ka lënë të vëllait.
Avokati tha se Arseni ka 2 gra, një të ligjshme dhe një bashkëjetuese dhe 7 fëmijë të cilët siç tha janë strehuar menjëherë në një qendër sociale pasi ndihen të rrezikuar nga mundësia e një hakmarrjeje nga familjarët e kunatës së Muskurtit, e vrarë prej tij.
“Natën e ngjarjes policia ka marrë fëmijët dhe bashkëshorten për një urdhër mbrojtje. Janë në një banesë me familjen tjetër, ndaj janë ndjerë të kërcënuar. Por Gjykata e kishte pushuar urdhrin e mbrojtjes. Arseni ka një grua dhe një bashkëjetuese, ka edhe 7 fëmijë. Kanë shkuar në një qendër sociale në Tiranë, policia e shtetit nuk ka marrë asnjë masë për ti mbrojtur. Arseni ka edhe një djalë të rritur, diku 16 vjeç ndaj i druhen hakmarrjes nga njerëzit e ish-kunatës”, tha avokati.
“Nuk i shmanget dënimit me burg përjetë”
Suad Idrizi, avokati i Arsen Muskurtit, tha se klienti i tij nuk i shmanget dot burgimit të përjetshëm, pasi ky i fundit vrau vëllanë dhe kunatën e tij pak ditë më parë në Tiranë.
Idrizi u shpreh se nëse do dilet me cilësimin juridik siç e ka përcaktuar, Arsen Muskurti do të dënohet me burg përjetë.
“Ai nuk i shmanget burgimit të përjetshëm. Nuk i shmanget. Nuk dua ta paragjykoj, por duke qenë se ka një sërë kalvaresh, një sërë historish, është gjykata që do e vendosë. Nuk e vendos as organi i akuzës, nuk e vendos absolutisht askush, vetëm gjykata. Do kryhen hetime të gjithanshme proceduriale, të cilat në fund farë do të dalë një rezultat cilësimi juridik i saktë i veprës penale. Nëse do dalin me këtë cilësim juridik, siç e ka përcaktuar prokuroria, absolutisht është burgim i përjetshëm”, theksoi ai.