Aktualitet “Viktima na kërcënonte”, përlotet bashkëjetuesja e Arsen Muskurtit: Ndihem e rrezikuar me...

“Viktima na kërcënonte”, përlotet bashkëjetuesja e Arsen Muskurtit: Ndihem e rrezikuar me 6 fëmijët

Arsen Muskurti ne gjyq

Erisa Haspepa bashkëjetuesja e Arsen Muskurtit i cili dy ditë më parë vrau vëllanë dhe kunatën kërkoi ndihmë nga shteti për të mbrojtur atë dhe 6 fëmijët.

Në emisionin ‘Sot’ në Euronews Albania, Haspepa tha se ndihet e rrezikuar pasi ka 6 fëmijë, nga të cilët njëri i mitur vetëm 1 vjeç.

“Ndihem shumë e rrezikuar për veten dhe fëmijët, ndihem e pambrojtur. Kam shkuar në një vend që nuk e di se ku jam, me 6 fëmijë me një bebe. Fëmijët e mi janë nevojë për psikologë, kërkoj mbrojtje për vete dhe fëmijët që të kthehem në shtëpi”, u shpreh mes lotësh Haspepa.

Ajo kërkoi që t’i krijohet mundësia të jetojë e qetë me fëmijët e saj, të cilët siç tha nuk kanë asnjë faj për konfliktet e babait të tyre, ashtu sikurse janë të pafajshëm fëmijët e viktimës.

Erisa Haspepa rrëfeu se konfliktet mes vëllezërve Muskurti zgjasnin prej 5-6 vjetësh me kërcënime dhe sherre të vazhdueshme.

Ajo tha se viktima, vëllai i bashkëshortit të saj ishte shumë konfliktual, kishte një temperament të vështirë dhe ishte gjithmonë shkaku i konflikteve.

“Kemi pasur vazhdimisht konflikte, prej 5-6 vjetësh. Por që do të arrinte deri këtu s’ma merrte mendja. Një herë kërcënoheshin, pastaj rriheshin, i ndjeri kishte një temperament shumë të vështirë, e kërcënonte vazhdimisht. Im shoq ka qenë më i qetë, por mesa duket edhe qetësia ka një limit. Edhe ne gratë kemi ngrënë ndonjë grusht kur jemi futur në mes të sherrit të vëllezërve. Edhe viktima, bashkëshortja ka qenë shumë konfliktuale”, u shpreh ajo.