Politika “Ka katër vila”, Basha padit për shpifje kryebashkiakun Veliaj

“Ka katër vila”, Basha padit për shpifje kryebashkiakun Veliaj

Partia Demokratike ka paditur në gjykatë për shpifje kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliajn.

Padia penale argumenton se Veliaj, “si drejtues i fushatës së PS-së për Tiranën, ka bërë 3 akuza konkrete, duke shpifur për kundërshtarin politik, me qëllim që t’i dëmtojë imazhin zotit Basha.”

Padia konsideron si 3 shpifje të Veliajt akuzat se:

-Kryetari i PD-së u bë me 4 shtëpi gjatë tërmetit dhe pandemisë

-Kryetari i PD-së ka përfituar gjatë periudhës së fatkeqësisë

-Kryetari i PD-së ka ndërtuar kate pa leje.

“Këto të pavërteta janë bërë me qëllim dëmtimin e reputacionit dhe dëmtimin e imazhit në mënyrë të qëllimshme, duke qenë se Lulzim Basha është Kryetar i PD në opozitë dhe Erion Veliaj, si drejtues i fushatës zgjedhore të PS për qarkun e Tiranës, këto deklarime shpifëse i përdor për të përfituar kredo politike përballë qytetarëve, si për vete dhe për PS”, thuhet në padinë e ngritur për shpifje ndaj Erion Veliajt.

Sjellim ndërmend se dy ditë më parë, në një takim të Partisë Socialiste në njësinë Nr.1 në Tiranë, Veliaj hodhi akuza shumë të forta ndaj kreut të opozitës.

Veliaj e akuzoi Bashën se vendos gjoba dhe se ka braktisur protestat duke marrë “diçka në këmbim”, ndërsa shtoi se kryedemokrati së fundmi ka marrë katër vila, edhe pse ky ka qenë një vit i vështirë për shqiptarët. Ai madje shprehte habi se një politikan në opozitë mund të pasurohej aq shumë.

Çfarë deklaroi Veliaj?

“Kryetari juaj, ai i gjumit, ai që i ngeci sahati sapo u bë me katër vila të reja. Vitin e tërmetit, si ka mundësi? Si ka mundësi vitin që të gjithë shqiptarët o i humbën, o iu dëmtua shtëpia, kryetari i opozitës bëhet me katër vila, me këto gjobat që iu thashë.

Gjobë këtij e gjobë atij që t’i mbyllin gojën, një biznesmen thotë po t’i jap çfarë do dhe të bie rehat. I keni vënë re si janë mbyll protestat. U mbyll protesta e rrugës së kombit, ca mori në këmbim, pse heshti? Si u mbyll protesta e Astirit, ca mori në këmbim, pse heshti?

Pse nuk flet për hallet e njerëzve të thjeshtë, por në çdo debat pazarin e vet. Ku jam në listë, ku është koalicioni, sa është përqindja, si do i marr vilat?

Pra në vitin më të vështirë ekonomik, të gjithë të tjerët kanë mbajtur një peshë, të gjithë të tjerët kanë pasur një vuajtje, të gjithë të tjerët janë tkurrur. Si ka mundësi vetëm kunati i vet i ka shku fitimi përpjetë. Nga vijnë këto para, si shtohet dhjetëfish të ardhurat e një familje duke qenë në opozitë. Këta nuk kanë lidhje me hallet e njerëzve. Këta nuk janë përpjekur një ditë për hallet e njerëzve. Këto katër vite kam qenë këtu çdo muaj, e keni parë ka katër vjet. Do të kthehet për vota, por kur të kthehet për vota do të jetë shumë vonë”.