Bota “Ka keqinformim mbi koronavirusin”, Facebook fshin për herë të parë një postim...

“Ka keqinformim mbi koronavirusin”, Facebook fshin për herë të parë një postim të Trump

Facebook, Twitter dhe YouTube, 3 prej platformave kryesore të rrjeteve sociale në botë, fshinë postimet e presidentit Donald Trump pasi sipas tyre thyen rregullat e keqinformimit rreth koronavirusit.

Në postimin e fshirë në Facebook ishte një video nga një intervistë e Trump në emisionin “Fox&Firends” në Fox News, ku presidenti thoshte se fëmijët janë “thuajse imunë” ndaj koronavirusit. “Video përmbante pretendime false se një grup njerëzisht janë imunë ndaj Covid-19, çka shkel politikat tona rreth informacioneve të dëmshme lidhur me koronavirusin”, tha një zëdhënës i Facebook.

Kjo ishte hera e parë që gjigandi i rrjeteve sociale merrte veprime për të lëvizur përmbajtje që postohen nga Presidenti në lidhje me postimet rreth koronavirusit, por nuk është hera e parë që faqja e Trump është penalizuar.

Një postim në Twitter në llogarinë @TeamTrump, që merret me fushatën presidenciale, gjithashtu u fshi pasi shkelte rregullat e keqinformimit. Një zëdhënës i Twitter tha se video duhej fshirë në mënyrë që administratorët e llogarisë të mund të postonin sërish.

Edhe YouTube, përmes një zëdhënësi, tha se kishte fshirë videon pasi përmbante keqinformime rreth Covid-19. Por intervista e plotë nuk është fshirë nga kanali në YouTube i Fox News.

Skuadra e fushatës presidenciale të Trump akuzoi kompanitë se po rreshtoheshin kundër presidentit, duke thënë se Trump thjesht kishte treguar një fakt. “Kompanitë e mediave sociale nuk janë arbitër të të vërtetës”, tha Courtney Parella, zëdhënëse e skuadrës së fushatës presidenciale të Donald Trump.

Sipas Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), edhe pse pjesë më e madhe e rasteve me Covid-19 përfshin të rritur, disa fëmijë dhe foshnje kanë shfaqur simptoma të sëmundjes dhe mund t’ia transmetojnë të tjerëve.

Sipas një analize të bërë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, nga 6 milionë rastet e konfirmuara në periudhën 24 shkurt-12 korrik 2020, 4,6% ishin fëmijë të moshës 5-14 vjeç.

Edhe pse Shtëpia e Bardhë nuk komentoi mbi veprimet e mediave sociale, gjatë një konference për mediat, Trump përsëriti qëndrimin e tij. “Fëmijët e përballojnë shumë mirë sëmundjen. Nëse shihni numrat, sa i përket vdekshmërisë, për fëmijët nën një moshë të caktuar, sistemi imunitar është tepër i fortë. Ata duket se po e përballojnë shumë mirë sipas çdo pretendimi statistikor”.