Italia nuk është vendi i lexuesve të mëdhenj, prandaj, është befasuese të zbulosh se një fëmijë vetëm 5 vjeç ka arritur të lexojë 125 libra në një vit, sipas “La Stampa”.
Të gjitha librat ishin pjesë e bibliotekës “Bartolomeo Della Fonte”, në Montemurlo, në provincën e Pratos.
Protagonist i kësaj historie është Mattia Mehdihoxha, me origjinë shqiptare, por banues në qytetin e vogël toskan.
Një fëmijë me pasion të madh për tregimet dhe leximin.
Sipas një llogaritjeje të shpejtë, Mattia udhëtonte nga shtëpia në bibliotekë afërsisht një herë në tre ditë.
Biblioteka “Bartolomeo Della Fonte” vendosi t’i jepte 5-vjeçarit çmimin “Lexuesi i Vitit”
Çmimi u dorëzua nga këshilltari i Kulturës i komunës së Montemurlos, Giuseppe Forastiero.
Shumë media të rëndësishme në Itali, përfshirë edhe “La Reppublica” i kanë kushtuar artikuj 5-vjeçarit që i ka habitur të gjithë me pasionin e tij.
“Të dhënat tregojnë se ai ka lexuar mesatarisht 2 libra në javë dhe kjo është e mrekullueshme”, shkruajnë mediat për 5-vjeçarin shqiptar.
Leximi është një aktivitet që Mattia bën çdo mbrëmje së bashku me nënën e tij Dorianën dhe vëllain e tij të madh 14-vjeçar, një pasion që është shtuar me kalimin e kohës pavarësisht moshës.
“Në fakt ai ende nuk di të lexojë mirë”, thotë mamaja e tij Doriana, por i do shumë librat, përrallat dhe kafshët.
“Ne shkojmë çdo javë në bibliotekë së bashku dhe ai zgjedh vëllimet që i pëlqejnë më shumë, pastaj ne i lexojmë së bashku çdo mbrëmje përpara se të flemë. Gjysmë ore kushtuar botës së librave është gjithashtu një mënyrë për t’i mbajtur fëmijët larg celularëve, librat nxisin imagjinatën e tyre, është diçka që ne kemi bërë së bashku që kur ai ishte shumë i vogël dhe që i pëlqen shumë”.
Një familje e thjeshtë, familja e Mattias jeton në Itali që nga viti 2007.
“Djali im më i vogël u bë i pasionuar pas librave edhe falë vëllait të tij që e shihte gjithmonë të lexonte dhe të studionte dhe kështu trashëgoi edhe ai këtë pasion”, shton nëna e tij.
Ajo thotë se kjo është një mënyrë për t’u mbledhur të gjithë bashkë në mbrëmje para se të flenë.
“Biblioteka është një mjedis që Mattia e njeh mirë dhe ku i pëlqen të shkojë”, shton Doriana. “Ai është një fëmijë si shumë të tjerë që është i apasionuar pas përrallave”.