Aktualitet Përdhunimi i 26-vjeçares në Vlorë, pezullohen dy policët e hetimit

Përdhunimi i 26-vjeçares në Vlorë, pezullohen dy policët e hetimit

Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka njoftuar këtë të premte pezullimin nga detyra të dy policëve të hetimit në Vlorë, Ervis Cipa dhe Ornela Hajrulla. Pezullimi i tyre vjen për ngjarjen e rëndë të ndodhur më 20 Tetor, ku një vajzë 26-vjeçare dyshohet se u përdhunua nga 3 persona.

Në reagimin e tij, Balla thotë se pezullimi i dy efektivëve vjen për shkak të vonesës në kryerjen e veprimeve të plota hetimore që në momentin e parë. “Vonesa në kryerjen e veprimeve të plota hetimore që në momentin e parë është e pafalshme dhe më rëndë akoma bashkëpunim me dhunuesit”, thotë ministri. Përveç pezullimit, Cipës dhe Hajrullës u ndalohet largimi jashtë vendit.

“Rasti i dhunës seksuale dhe i nxitjes së përdorimit të lëndëve narkotike ndaj një vajze në Vlorë ishte një ngjarje e rëndë, për të cilën drejtësia duhet të bëjë detyrën në nivelin e pritshmërive të mbarë opinionit publik. Siç jam angazhuar prej momentit të parë pasi u njoftova për këtë ngjarje, kam kërkuar verifikimin e veprimeve të Policisë së Vlorës për këtë ngjarje tronditëse. Për këtë qëllim Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe Prokuroria e Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë kanë hetuar veprimet e policisë së shtetit në këtë rast, duke çuar në vendimin e sotëm të Gjykatës Vlorë për pezullim nga detyra dhe ndalim dalje jashtë vendit të dy punonjësve të Drejtorisë së Policisë. Vonesa në kryerjen e veprimeve të plota hetimore që në momentin e parë është e pafalshme dhe më rëndë akoma bashkëpunim me dhunuesit. Prandaj e kam thënë dhe ta them çdo ditë se rritja e performancës së Policisë së Shtetit lidhet në mënyrë të pandashme me procesin e vetëpastrimit, për të çrrënjosur një herë e përgjithmonë nga trupa e shëndoshë e policisë së shtetit elementët e dëmshëm të inkriminuar apo shkelës së etikës, të cilët njollosin punën e palodhur të shumicës së Policisë së Shtetit që shërbejnë me vendosmëri të palëkundur shtetit të së drejtës dhe në mbrojtje të qytetarëve të këtij vendi”, thuhet në reagimin e Ballës.