Gazetarja Klodiana Lala është shprehur se vrasja e Liridonës fsheh një mister shumë të madh, për faktin se ajo është kryer në mënyrë shumë të nxituar.
Komentet Lala i bëri në “Euronews Albania”, ku tha se ka pasur edhe tentativa të mëhershme të Naim Murselit për të ekzekutuar Liridonën dhe ngjarjen donte ta paraqiste si aksident.
Ajo tha gjithashtu se nuk i beson babait të Naimit, pasi sipas saj, dalja e tij për media në një mënyrë aq të nxituar, të krijon idenë se ai ka dashur ta mbrojë të birin.
Lala ka zbuluar bisedat mes Naim Murselit dhe Kushtrim Kokallës, para vrasjes së Liridonës.
Lala tha se gjatë bisedës mes tyre, Naimi i tha Kokallës se “kjo punë duhet të kryhet sot”.
Ajo tha se në këtë ngjarje ka diçka më të madhe, ndoshta një sekret që lidhet me persona të tjerë si biznesmenë apo politikanë, por për këtë nuk mund të deklarohej ende.
“Fakti që babai nxitoi të fliste për këtë çështje, më la një shije shumë të mirë. Më ngjall si një tentativë për ta mbrojtur të birin, Naimin. Kur kam shkuar në vendin e ngjarjes, aty jam bindur që nuk kishte të bënte me një grabitje, por që Naimi kishte urdhëruar vrasjen e gruas. Ka pasur tentativa, më rezulton që zbatimi i planit për vrasjen e Liridonës është vënë në jetë në nxitim e sipër.
Ka patur tentativa të mëhershme të Naim Murselit për ta ekzekutuar gruan. Njëherë për ta trajtuar si aksident, që e dinë edhe autoritetet në Kosovë. Nga biseda me Kukallën, kur ishte vënë në zbatim plani për vrasjen e Liridonës, nuk ka kaluar më shumë se një javë.
Në një moment në dosjen hetimore, në një fjali që më ka vrarë veshin, thuhej se kjo punë duhet të kryhet sot. Liridona ka ditur një sekret shumë të madh. Se çfarë është kjo çështje, nëse lidhet me biznes, me politikë apo me njerëz të tjerë, nuk mund ta them. Por mund të them që ata kanë vepruar ditët e fundit me një nxitim të paprecedentë, për t’i mbyllur gojën Liridonës”.