Histori Kalaja e Bashtovës, fortesa e rrallë e ndërtuar në fushë

Kalaja e Bashtovës, fortesa e rrallë e ndërtuar në fushë

Historikisht pikë strategjike, monumenti me vlera të larta historike dhe kulturore tashmë është kthyer në qendrën e disa nga eventeve më të ndjekura të viteve të fundit.

E vendosur anës Via Egnatia-s, njërës prej rrugëve kryesore që lidhnin lindjen dhe perëndimin gjatë Perandorisë Romake, Kalaja e Bashtovës ka tërhequr gjithmonë vëmendjen e çdokujt. Vetëm disa kilometra larg Kavajës, kalaja më shumë se 500-vjeçare dëshmon për gjurmët e qytetërimit dhe civilizimit në vend. Shpallur monument kulture i kategorisë së parë në vitet 1948 dhe 1971, Kalaja e Bashtovës është gjithashtu në listën tentative të UNESCO-s si Vend i Trashëgimisë Botërore.

Historia

Kalaja e Bashtovës mendohet se është ndërtuar në fund të shek. 15-të, me pjesën e saj perëndimore të rindërtuar në shek. e 18-të. Ajo ndodhet pranë fshatit Vilë-Bashtovë, në veri të lumit Shkumbin, e rrethuar nga gjelbërimi i jashtëzakonshëm i parkut natyror kombëtar përreth kalasë. Pranë Adriatikut, ajo mbetet e vetmja kala e ndërtuar në fushë në Ballkan. Një herë e një kohë, zona ku ndodhet kalaja ishte qendër tregtimi e përdorur nga Venedikasit. Më pas, gjatë perandorisë osmane, kalaja u kthye në port me funksion mbrojtjen e tregtisë bregdetare. Për këtë arsye, arkitektura veneciane dhe osmane ndërthuren bukur në strukturën e kalasë.

Arkitektura

E ndërtuar në një fushë të gjelbër pranë luginës së Shkumbinit, kalaja ka një planimetri katërkëndore me muret e saj 9 m të larta dhe 1 m të gjera si edhe shtatë kulla. Tre prej kullave, dy rrethore dhe një drejtkëndëshe, ende qëndrojnë, si edhe hyrjet e kalasë. Mendohet se kalaja ishte një strukturë dykatëshe dhe se kati i parë ishte nëntokësor. Objektet e gjetura në brendësi të kalasë ruhen në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë.

Natyra përreth dhe aktivitetet

Kalaja e Bashtovës rrethohet nga një natyrë jo vetëm e bukur por me një shumëllojshmëri të rrallë. Vetëm 1 km larg saj, gjenden plazhi i Spillesë dhe i Grethit si edhe Divjaka. Lumi Shkumbin është vetëm 500 m larg. Zona përreth saj ruan statusin e parkut natyror kombëtar. Për këto arsye, të shumtë janë ata që i bëjnë vizitë kësaj zone edhe për aktivitete në natyrë si peshkim, ecje, apo thjesht çlodhje larg qytetit.