Bota Britania furnizon Ukrainën me armë për vetëmbrojtje ndaj Rusisë

Britania furnizon Ukrainën me armë për vetëmbrojtje ndaj Rusisë

Britania po furnizon Ukrainën me raketa anti-tank për vetëmbrojtje, pasi Rusia grumbulloi rreth 100,000 trupa në kufirin me Ukrainën, tha sekretari i mbrojtjes në vend.

Ben Wallace bëri me dije se një ekip i vogël nga trupat britanike do të dërgohej gjithashtu në Ukrainë, për të ofruar trajnime.

Ai tha se kishte “arsye legjitime dhe reale për shqetësim”, pasi trupat ruse në kufi mund të përdoren për një pushtim të mundshëm të territorit ukrainas.

Rusia mohon çdo plan pushtimi dhe akuzon Perëndimin për agresion.

Dhjetëra trupa britanike janë vendosur në Ukrainë që prej vitit viti 2015 për të ndihmuar në trajnimin e forcave të armatosura. Po ashtu, Britania e Madhe është angazhuar për rindërtimin e marinës së Ukrainës pas pushtimit rus të Krimesë, në vitin 2014.

Mirëpo Ben Wallace tha se Mbretëria e Bashkuar tani po ofron ndihmë shtesë për Ukrainën “që është nën veprimet kërcënuese të Rusisë”.

Grupi i parë i raketa anti-tank u dërgua të hënën.

“Më lejoni të jem i qartë, kjo mbështetje është për armët me rreze të shkurtër dhe qartësisht mbrojtëse; ato nuk janë armë strategjike dhe nuk përbëjnë asnjë kërcënim për Rusinë; ato duhet të përdoren në vetëmbrojtje”, sqaroi Wallace.

Ambasadori ukrainas në Britaninë e Madhe, Vadym Prystaiko përshëndeti vendimin e Britanisë për të dërguar armë dhe trupa shtesë, por tha se problemi më i madh është se Ukraina nuk është anëtarë në NATO.

“Ne duam të jemi në NATO. Po përballemi të vetëm me ushtrinë më të madhe në Evropë”, tha Vadym Prystaiko gjatë një interviste për BBC.

Ndërkohë, Rusia akuzon vendet e NATO-s se po furnizojnë Ukrainën me armë, ndërsa thotë se SHBA po nxit tensione në rajon.

Kërkesa e Rusisë është që të ndalohet çdo zgjerim i NATO-s në lindje, me zëvendësministrin e Jashtëm Sergei Ryabkov që thotë se është “absolutisht e detyrueshme të sigurohet që Ukraina të mos bëhet kurrë anëtare e NATO-s”.