Banorët e territorit të Paqësorit, Kaledonisë së Re, votuan me shumicë dërrmuese të dielën për të mbetur pjesë e Francës, në referendumin e tretë që zhvillohet mbi këtë çështje, i cili sipas disa njoftimeve u bojkotua nga grupet pro-pavarësisë.
Autoritetet kanë shpërndarë përforcime policore në këtë territor, i cili ka një rëndësi strategjike për Francën dhe është pjesë e një përplasjeje më të gjerë për ndikim në Paqësor, mes vendeve perëndimore dhe Kinës.
Pas numërimit të 90.23 për qind të votave, 96.32 për qind e zgjedhësve kishin votuar kundër pavarësisë. Rezultati ka ngritur shqetësime për trazira si dhe pikëpyetje mbi legjitimitetin e procesit.
Arkipelagu, i cili ndodhet 2 mijë kilometra në lindje të Australisë, iu dha mundësia për zhvillimin e tre referendumeve lidhur me pavarësinë, bazuar në një marrëveshje të vitit 1988, që synonte lehtësimin e tensioneve në ishuj.
Pasi refuzuan një shkëputje nga Franca në vitin 2018 dhe më pas sërish vitin e kaluar, banorët u pyetën për herë të fundit nëse “do të dëshironin që Kaledonia e Re të bëhej e pavarur”.
Aktivistët pro-pavarësisë e bojkotuan referendumin, duke thënë se ata donin që ai të shtyhej për në shtator, sepse “një proces i drejtë” sipas tyre ishte i pamundur, në kushtet e infeksioneve të larta me koronavirus.
Rezultati mund të përkeqësojë tensionet etnike, mes komunitetit të varfër indigjen Kanak, që në përgjithësi favorizon pavarësinë, me komunitetin më të pasur, të përbërë nga një popullatë e bardhë.
Lëvizja kryesore indigjene pro-pavarësisë, FLNKS, e ka quajtur këmbënguljen e qeverisë për të bërë përpara me referendumin, si “shpallje për luftë”.
Sipas gazetarëve të agjencisë së lajmeve AFP, pjesëmarrja ishte veçanërisht e ulët në zonat me shumicë kanake.