Bota Kryeministri i Izraelit, vizitë e pazakontë në Emiratet e Bashkuara Arabe

Kryeministri i Izraelit, vizitë e pazakontë në Emiratet e Bashkuara Arabe

Kryeministri izraelit Naftali Bennett ka udhëtuar drejt Emirateve të Bashkuara Arabe të dielën. Ai pritet të takohet me sundimtarin de facto të këtij vendi, në vizitën e parë të nivelit më të lartë që nga zyrtarizimi i marrëdhënieve mes dy vendeve vitin e kaluar.

Udhëtimi vjen mes tensioneve të rritura rajonale, ndërsa fuqitë botërore po përpiqen të rinovojnë një marrëveshje bërthamore me Iranin. Izraeli ka kërkuar forcimin e mbrojtjes së përbashkët me shtetet arabe të Gjirit që ndajnë të njëjtin shqetësim mbi aktivitetet e Teheranit.

Megjithatë, së fundmi Emiratet e Bashkuara Arabe kanë patur kontakte me Iranin. Të hënën e kaluar ata dërguan në këtë vend një zyrtar të lartë.

“Do të nisem sot drejt Emirateve të Bashkuara Arabe, në vizitën e parë të zhvilluar ndonjëherë nga një kryeministër i Izraelit”, i tha zoti Bennett kabinetit të tij të dielën.

Zyra e kryeministrit njoftoi se ai do të takohet të hënën me Princin e Kurorës së Abu Dhabit Sheikh Mohammed bin Zayed al-Nahyan. Autoritetet në Abu Dhabi nuk e kanë konfirmuar deri tani vizitën.

Emiratet e Bashkuara Arabe së bashku me Bahreinin, Sudanin dhe Marokun normalizuan lidhjet me Izraelin nën një iniciativë të mbështetur nga Uashingtoni të quajtur “Marrëveshja e Abrahamit”, e cila mban emrin e patriarkut biblik, një figurë që nderohet si nga hebrenjtë, ashtu edhe nga të krishterët dhe myslimanët.