Në Kroaci, e cila u bashkua me Eurozonën më 1 janar me miratimin e monedhës së përbashkët, ka një rritje të mprehtë të çmimeve, veçanërisht për produktet ushqimore dhe shërbimet.
Rritjet janë konsideruar të pajustifikuara nga qeveria, e cila ka paralajmëruar një ndërhyrje në ditët në vijim.
Shumica e rritjeve kanë të bëjnë me rrumbullakosjet të cilat në shumë raste e tejkalojnë shumë logjikën e konvertimit. Ka rritje të çmimeve që variojnë nga 5 në 20 për qind krahasuar me çmimet para prezantimit të monedhës së përbashkët evropiane. Për këtë arsye, shumë tregtarë, restorante, madje edhe disa rrjete supermarketesh janë akuzuar nga shtypi se kanë spekuluar.
Zemërimi i qytetarëve ka shpërthyer edhe në rrjetet sociale, duke denoncuar ndër të tjera rritje të çmimit të bukës dhe gjalpit deri në 30%.
Kryeministri Andrej Plenkoviç akuzoi se “një pjesë të tregtarëve dhe sipërmarrësve se kanë përfituar nga kalimi nga kuna kroate në euro me këtë sjellje të papërgjegjshme”, duke paralajmëruar ndërhyrje të mundshme nëse situata nuk normalizohet deri të premten.
Plenkoviç tha se qeveria ka mjete të forta “që nuk do të hezitojë t’i përdorë”. Ndërhyrjet e mundshme përfshijnë rritjen e taksave, heqjen e subvencioneve të gazit dhe energjisë apo edhe ngrirjen e çmimeve për qindra artikuj në nivelet e dhjetorit.
Krahas anëtarësimit në Eurozonë, Kroacia – vendi i fundit që u bashkua me BE-në në korrik 2013 – iu bashkua gjithashtu zonës Shengen për lëvizje të lirë në Evropë në fillim të vitit 2023.