Pasi ka përfunduar raundi i parë i ballafaqimeve dhe me Islandën janë mbyllur të dyja përballjet, është momenti për të marrë një laps dhe një letër.
Sigurisht, kualifikimi është një mrekulli, e cila duhet përgatitur në fushën e blertë nga kuqezinjtë, por me katër ndeshje të mbetura mund të tentohen disa kombinime të arta që të na ngjisin në renditje dhe të na bëjnë prej atyre që do të jenë pjesë e “Euro 2020”, si protagonistë.
LLOGARITË
Shqipëria fiton ndaj Turqisë. Kjo është fjalia e vetme që na rifut në garë. Duke kujtuar disfatën në Shkodër dhe situatën me 15 pikë të kundërshtarit të radhës, Kombëtares i duhet të fitojë edhe një tjetër finale. Tamam si atë ndaj Islandës.
E gjithë kjo, për ta kthyer situatën në favorin tonë dhe për të kaluar presionin te dy rivalet e tjera. Sigurisht, loja e kombinimeve të arta kërkon edhe që kampionët e botës të jenë të tillë edhe në përballjen me Islandën në të njëjtën ditë, më 11 tetor. Në këto kushte, Franca do të “arratisej” në krye e Shqipëria ngjitet në vend të tretë, me 12 pikë, po aq sa Islanda. Tri ditë më vonë, na pret një tjetër transfertë. Ajo e Moldavisë. Shqipëria ka vuajtur gjithmonë ndaj të ashtuquajturave të vogla, por këtë herë nevoja e do që të mos ketë hap fals.
Motivimi? Sipas llogarive, do të jetë maksimal, pas triumfit 4-2 ndaj Islandës dhe atij hipotetik të arritur në Turqi. E pas ndeshjeve të tetorit, do të ishim me 15 pikë, po aq sa Turqia e 3 më shumë se Islanda. Kjo e fundit do të jetë e prirur të na rivalizojë me një 3- pikësh ndaj Andorrës në transfertë dhe na barazon me 15 pikë. Turqia? Shqipëria do të shpresojë që Franca të mos pësojë disfatë të dytë, përkundrazi të marrë “hak” sportivisht. Kështu, në nëntor situata do të ishte me një Francë që koleksionon 21 pikë dhe Shqipëria në kushte të barabarta me Turqinë dhe Islandën, nga 15. E arritshme, por tepër e vështirë.
FINALJA
Nëntori nis me dy ndeshje të arta dhe do të jetë momenti për të bërë hapin e madh. Islanda dhe Turqia përballen mes tyre, ku barazimi do të ishte ëndrra e madhe për Shqipërinë e bashkuar me 3 pikë shtëpie ndaj Andorrës. Kështu, avantazhi me Turqinë dhe Islandën rritet me dy pikë. Ose, do të jetë 3 pikë ndaj njërës dhe situatë e barabartë me atë që fiton.
E fundit, shumë në disfavor: Turqia dhe Islanda udhëtojnë respektivisht në Andorrë dhe Moldavi. Për të qenë realistë, asnjë llogari nuk mund të bëhet në këto dy sfida, sepse teorikisht do të jenë në favor të ekipeve udhëtuese, pavarësisht dëshirës për ecurinë e Shqipërisë. Këtu, do të futej në lojë vetëm impianti i ri modern në kryeqytet, inaugurimi i të cilit të bëhej me një rezultat fantastik, duke fituar ndaj Francës. E gjithë kjo është e lehtë për t’u thënë, por e mundur bëhet vetëm nga një Kombëtare heroike. Një të tillë e kemi parë në “Euro 2016”. A do të përsëritet vallë?…
PANORAMASPORT