Gjykata e Apelit me Juridiksion të Përgjithshëm ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për ish-anëtarin e UÇK-së Dritan Goxhaj. Goxhaj ka pretenduar para gjykatës se ka mbrojtur vendin e tij, Kosovën me “zemër dhe me penë”.
“Nuk kam kryer asnjë shkelje ligji, por po më ekstradoni që t’i bëni qejfin Serbisë”, raportohet të ketë thënë ai para trupës gjykuese.
Të njëjtin qëndrim ka mbajtur dhe avokati i tij duke pretenduar se arrestimi i Goxhajt është tërësisht politik.
Gjykata e Hagës ka kërkuar ekstradimin e ish-anëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pasi ky i fundit akuzohet se ka kërcënuar dëshmitarët e luftës së Kosovës që të mos flasin për gjyqin që po bëhet në Hagë.
Dritan Goxhaj është djali i ish-zv/shefit të Shtabit të UÇK dhe kolonelit të njohur nga Shqipëria, Dilaver Goxhaj. Kolonel Goxhaj iu bashkua vullnetarisht luftës në Kosovë. Më pas edhe djali i tij iu bashkua UÇK-së si oficer i Ushtrisë Shqiptare. Ai ka pasur autorizimin e Shtabit të Përgjithshëm që të mbante kontakte me Komandën e Forcave Amerikane në Shqipëri.