Aktualitet Sterilizimi, GJKKO i kërkoi SPAK-ut të hetojë dhe ish-ministrat Beqja e Cani

Sterilizimi, GJKKO i kërkoi SPAK-ut të hetojë dhe ish-ministrat Beqja e Cani

Prokurori Edvin Kondilli dhe Edi Rama me Ilir Beqjan

Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit i ka kërkuar Prokurorisë të orientojë hetimet edhe tek ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja dhe ish-ministri i Financave, Shkëlqim Cani në lidhje me koncesionin e sterilizimit. Kjo është dhe hera e parë që GJKKO i kërkon SPAK-ut hetime të mëtejshme për zyrtarë të tjerë.

Gjyqtari Erjon Bani i ka sugjeruar prokurorit të SPAK, Edvin Kondillit, që të nisë hetimet dhe të marrë të pandehur edhe ish-ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqja si dhe ish-ministrin e Financave Shkëlqim Cani. Por prokurori duket se i ka falur të dy ish-ministrat.

Prokuroria lëshoi urdhër-arrestet për ish-zv/ministrin e Shëndetësisë Klodjan Rrjepaj, si dhe biznesmenin Ilir Rrapaj fitues të tenderit, i akuzuar për mashtrim me pasoja të rënda. Vendimi për masat e arrestit tashmë të ekzekutuara është marrë që me datë 23 qershor.

Zyrtarë të tjerë të përfshirë janë Marsela Seriani dhe Saimir Kadiu të cilët u lanë në arrest shtëpie për shpërdorim detyre. Kurse për shefin e kirurgjisë, rektor i universitetit të Mjekësisë Arben Gjata, Naile Abazi, Gent Burazeri dhe Pertref Mersini u vendos masa detyrim paraqitje.

Gjykata ka urdhëruar edhe shpalljen si të pavlefshme kontratën e koncesionit të sterilizimit sepse sipas saj është ndërmarrë në konflikt të hapur interesi përderisa biznesmeni Ilir Rrapaj ka njohje me ish-zv/ministrin e Shëndetësisë Klodian Rrjepaj dhe ish ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqja.

Një vit më parë ish-ministri i Shëndetësisë dha deklarimet e tij në SPAK për 9 orë me radhë si person që ka dijeni. Ndërkohë javët e fundit në dyert e strukturës së posaçme kundër krimit dhe korrupsionit të zyrtarëve të lartë ishte edhe ish-ministrja tjetër e Financave Anila Denaj.

Dosja e sterilizimit u kallëzua gjatë vitit 2019 nga Nisma Thurje dhe Partia Demokratike. Denoncuesit pretendonin se kontratat e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale firmosur mes ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqja dhe kompanisë koncensionare “Sani Service” po i shkaktonte shtetit dëm ekonomik.

Një auditim i KLSH nxori se pajisjet me vlerë gati 107 milionë lekë të blera nga qeveria shqiptare iu dhuruan koncesionarit pa pagesë dhe pa asnjë parashikim në kontratë.